Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se në vendin e tij nuk do të ndërtohen qendra për pranimin e migrantëve të parregullt, duke iu përgjigjur raportimeve mediatike sipas të cilave Mali i Zi është në listën e vendeve që qeveria italiane do të propozojë për ndërtimin e një qendre të tillë.
Millojko Spajiq tha se deri më tani nuk ka pasur bisedime me Bashkimin Evropian (BE) për këtë çështje, në një postim në X me seli në ShBA.
"Mali i Zi nuk ka zhvilluar negociata për ngritjen e qendrave të tilla në territorin e tij, as Qeveria nuk ka marrë ndonjë nismë zyrtare për hapjen e tyre. Kur një nismë e tillë të vihet në tryezë, përgjigjja jonë do të jetë negative", shkroi ai.
Mediat më herët transmetuan raportimin e agjencisë italiane ANSA, e cila, duke iu referuar burimeve diplomatike, njoftoi se Mali i Zi ndodhet në listën paraprake të vendeve ku BE mund të ndërtojë qendra të reja për pranimin e migrantëve të parregullt.
Po ashtu, u bë e ditur se ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, do t'ua paraqesë planin homologëve të tij nga shtetet anëtare të BE-së në një takim të jashtëzakonshëm.
Sipas raportimeve, plani bazohet në zgjerimin e "modelit shqiptar" ekzistues në vende të tjera jashtë BE-së, ndërsa dallimi kryesor nga marrëveshja që Roma ka me Tiranën është se qendrat e reja do të financohen nga fondet dhe buxheti i BE-së.
Përveç Malit të Zi, në listën e vendeve ku mund të ndërtohen qendra të tilla janë edhe Tunizia, Libia, Egjipti, Ruanda, Gana, Senegali, Mauritania, Uganda, Uzbekistani, Armenia dhe Etiopia.























