Irani njoftoi të mërkurën se deklarata e përbashkët me Omanin për krijimin e një korridori lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit ndodhet në fazën përfundimtare të hartimit, me kusht që asnjë palë e jashtme të mos ndërhyjë në proces.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, tha se Teherani dhe Muskati kanë zhvilluar bisedime gjatë dy muajve të fundit për krijimin e një rruge të sigurt për anijet tregtare, si dy shtetet që shtrihen në brigjet e Ngushticës së Hormuzit, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr.
“Autoritetet kompetente të vendit tonë e kanë shqyrtuar propozimin nga aspekti teknik, ligjor, i sigurisë dhe ai mjedisor”, tha Baqaei.
Ai i cilësoi negociatat si “profesionale” dhe “produktive”, duke shtuar se të dyja palët kanë rënë dakord për koordinatat gjeografike të rrugës së propozuar.
“Nëse asnjë palë e jashtme nuk e pengon procesin, deklarata e përbashkët ndërmjet dy vendeve, e cila përfshin çështjet kryesore dhe pikat e dakorduara, ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit dhe hartimit”, tha ai.
Baqaei theksoi se mirëkuptimi ndërmjet Iranit dhe Omanit nuk do të mjaftonte për të garantuar lundrim të sigurt përmes kësaj rruge strategjike ujore, duke e lidhur situatën e sigurisë me veprimet e vazhdueshme të ShBA-së kundër Iranit.
Ai pretendoi se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ishte pasojë e “agresionit ushtarak” të ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Sipas tij, faktorët që e bëjnë të pasigurt rrugën ujore, përfshirë bllokadën detare amerikane dhe veprimet e tjera armiqësore kundër Iranit dhe interesave të tij, vazhdojnë të jenë të pranishëm.




















