| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mucunski viziton Ukrainën, rikonfirmon mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial
"Qëndrojmë me Ukrainën. Ukraina është shtet sovran. Integriteti i saj territorial duhet të respektohet. Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë", tha ministri Mucunski
Mucunski viziton Ukrainën, rikonfirmon mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial
Mucunski viziton Ukrainën, rikonfirmon mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, zhvilloi një vizitë zyrtare në Ukrainë, ku u takua me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha. 

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, bisedimet u përqendruan në mundësitë për thellimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Palët diskutuan gjithashtu avancimin e bashkëpunimit ekonomik, perspektivën evropiane të të dy vendeve, sfidat aktuale të sigurisë, si dhe mundësitë që Maqedonia e Veriut të marrë pjesë në procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të Ukrainës.

Mucunski rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën.

"Qëndrojmë me Ukrainën. Ukraina është shtet sovran. Integriteti i saj territorial duhet të respektohet. Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Dhe e drejta ndërkombëtare nuk mund të jetë çështje zgjedhjeje kur respektimi i saj nuk na përshtatet", tha Mucunski.

Gjatë takimit u theksua gjithashtu rëndësia më e gjerë e sigurisë së Ukrainës për sigurinë evropiane dhe transatlantike, si dhe nevoja për angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të aleatëve dhe partnerëve për krijimin e kushteve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

"Udhëheqja amerikane dhe përgjegjësia evropiane duhet të veprojnë së bashku. Kështu e forcojmë parandalimin sot. Kështu krijojmë kushtet për paqe nesër. Dhe kështu sigurojmë që ajo paqe të jetë e qëndrueshme", tha Mucunski.

Ai konfirmoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar kontributin në përpjekjet ndërkombëtare për mbështetjen e Ukrainës dhe për t'u përfshirë aktivisht në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e vendit.

Mucunski dhe Sybiha vendosën lule pranë Murit të Kujtesës për mbrojtësit e rënë të Ukrainës.

Në kuadër të vizitës, Mucunski u takua gjithashtu me Oleksandr Korniyenko, zv/kryetarin e parë të Verkhovna Rada-s së Ukrainës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë