Ministri i Jashtëm i Türkiyes paralajmëroi të premten se një sulm i ri ndaj Iranit do të çonte në përhapjen e mëtejshme të luftës dhe konfliktit në rajon.
“Ndërhyrja ushtarake në Iran nuk është në asnjë mënyrë zgjidhje. Askush nuk e mbështet këtë për momentin”, u tha Hakan Fidan gazetarëve pas takimit R4+E3 në Istanbul, i pari i mbajtur ndonjëherë në këtë format.
Sipas raportimeve, ShBA-ja dhe Izraeli kanë hartuar plane për sulme të reja ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.
Lufta që nisi në fund të shkurtit ende nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare, pavarësisht armëpushimit dhe një memorandumi mirëkuptimi për finalizimin e një marrëveshjeje paqeje.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Fidan tha: “Ose lufta duhet të ndalet, ose, nëse kjo nuk ndodh, palët duhet të bien dakord për përjashtime lidhur me çështjet e energjisë dhe drithërave”.
Mekanizmi R4 u krijua nga Türkiye, Egjipti, Pakistani dhe Arabia Saudite, mbi parimin që vendet e rajonit ta marrin përgjegjësinë kryesore për çështjet rajonale, me synimin për ta mbështetur stabilitetin afatgjatë dhe për të forcuar dialogun mbi çështjet rajonale.
Ndërsa mekanizmi E3, i përbërë nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, lindi nga bashkëpunimi diplomatik trepalësh për programin bërthamor të Iranit, i nisur në vitin 2003.





















