| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
ShBA, një i vdekur dhe nëntë të zhdukur nga shpërthimi në një uzinë kimike në shtetin e Uashingtonit
Disa prej të lënduarve pësuan djegie ose dëmtime nga thithja e gazrave ndërsa gjendja e tyre varion nga e lehtë deri në kritike.
ShBA, një i vdekur dhe nëntë të zhdukur nga shpërthimi në një uzinë kimike në shtetin e Uashingtonit
ShBA, një i vdekur dhe nëntë të zhdukur nga shpërthimi në një uzinë kimike në shtetin e Uashingtonit Foto: AA

Të paktën një person ka humbur jetën dhe nëntë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas shpërthimit të një rezervuari në fabrikën “Nippon Dynawave Packaging” në Longview në shtetin e Washingtonit në ShBA, raportoi CBS News.

Autoritetet thanë se rezervuari përmbante lëng kimik industrial që përdoret në procesin e prodhimit të celulozës. Nga incidenti u plagosën të paktën nëntë persona, përfshirë një zjarrfikës.

Disa prej të lënduarve pësuan djegie ose dëmtime nga thithja e gazrave ndërsa gjendja e tyre varion nga e lehtë deri në kritike.

Departamenti i Zjarrfikësve në Longview njoftoi se rezervuari i dëmtuar mbetet i paqëndrueshëm dhe ende përmban lëng kimik, duke krijuar rrezik të lartë për ekipet e emergjencës ndërsa autoritetet u bënë thirrje banorëve të shmangin zonën. Për shkak të këtyre kushteve të rrezikshme, operacionet e kërkim-shpëtimit u pezulluan gjatë natës dhe pritet të rifillojnë të mërkurën.

Kompania “Nippon Dynawave Packaging”, pjesë e grupit japonez “Nippon Paper Group”, operon fabrikën në Longview, e cila prodhon karton paketimi dhe celulozë që përdoret për kuti qumështi, enë ushqimore, letra higjienike dhe produkte të tjera letre.

Sipas të dhënave shtetërore, kompania është gjobitur për tri shkelje të sigurisë që nga viti 2021 ndërsa dy ankesa të tjera janë regjistruar këtë vit, por ato nuk kanë lidhje me rezervuarin që u dëmtua.