Në Shqipëri vazhdon protesta e thirrur nga studentët dhe mbështetur nga pedagogë, grupe të tjera të shoqërisë dhe qytetarë.
Protestës së sotme iu bashkuan edhe punonjës të sektorit të shëndetësisë, sipas tyre në "mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe të ardhmes së Shqipërisë".
Protestuesit marshuan në ditën e 11-të të protestës në disa nga rrugët dhe sheshet e kryeqytetit dhe më pas para selisë së Qeverisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Gjatë ditës së sotme nuk u shënuan tensione të larta apo përplasje mes forcave të policisë dhe protestuesve, si në protestat e kaluara.
Ndërkohë, në rrjetet sociale dhe në media të ndryshme ka patur raportime dhe paralajmërime për organizmin e një protestë kombëtare më 24 tetor, me pjesëmarrjen edhe të shqiptarëve të diasporës dhe qytetarëve nga qytete të ndryshme të vendit.
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sërish thirrjet për dialog, ndërkohë deri tani protestuesit kanë refuzuar, ku sot larguan stolat prej betoni para Kryeministrisë të vendosur simbolikisht me mbishkrimin “dialog”.
Edhe në protestën e sotme u angazhuan qindra forca policore shtesë, për shmangien e akteve të dhunës dhe për ruajtjen e institucioneve shtetërore.
Në Shqipëri, në ditët e fundit janë mbajtur protesta të thirrura nga studentët dhe mbështetura nxënës të shkollave të mesme dhe nga qytetarët, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, akteve të dhunës dhe dëmtim të pronës publike dhe institucioneve.
Protestuesit kanë pretenduar se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat sipas tyre nuk janë adresuar në vitet e fundit, ndërkohë kërkesat e tyre janë zgjeruar dhe në çështje të tjera.





















