Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se ShBA-ja i ka dhënë Ukrainës informacione lidhur me takimet e fundit të zhvilluara në kryeqytetin rus, Moskë.
Gjatë një videoadresimi të premten në mbrëmje, Zelenskyy tha se informacionet që Kievi kishte marrë kishin të bënin me takimet që ishin zhvilluar në Moskë “ditët e fundit”. Ai theksoi se bëhej fjalë për një “seri” takimesh dhe se Ukraina kishte komunikuar me ShBA-në si para, ashtu edhe pas tyre.
“Faleminderit për informacionin – dhe për tonin e nevojshëm të bisedës me Rusinë. Ne e vlerësojmë koordinimin e hapave dhe faktin që Amerika po avancon një vizion realist për atë që duhet bërë dhe çfarë duhet të arrihet”, tha Zelenskyy.
“Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj dhe duhet të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për ta bërë këtë të mundur”, shtoi ai, pa specifikuar se kush mori pjesë në takimet në kryeqytetin rus.
Të mërkurën, Kremlini konfirmoi raportimet se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, kishte vizituar Moskën të martën. Kjo ishte vizita e parë e një drejtori të CIA-s në Moskë që nga viti 2021. Kremlini tha se vizita përfshinte kontakte mes shërbimeve të sigurisë dhe i cilësoi këto kontakte si një “fenomen pozitiv, një proces pozitiv”.
Raportimet u shfaqën pasi një avion i Forcave Ajrore të ShBA-së, C-17A Globemaster III, fluturoi të martën në mëngjes nga kryeqyteti i Letonisë, Riga, drejt aeroportit Vnukovo të Moskës, sipas të dhënave të Flightradar24. Avioni kishte mbërritur dy ditë më parë nga Camp Springs në ShBA, pranë bazës së përbashkët Andrews në Maryland, ku shpesh janë të bazuara avionët e Shtëpisë së Bardhë.
Sipas të dhënave të Flightradar24, avioni u largua nga Moska dhe u kthye në Riga më vonë të njëjtën mbrëmje.
Më vonë të mërkurën, presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi vizitën e Ratcliffe në Moskë si “gjysmë-rutinë”.
Një ditë më pas, kur u pyet në Zyrën Ovale nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte rënë dakord apo ishte zotuar të mos sulmonte territorin e NATO-s, Trump u përgjigj:
“Kam pasur biseda të mira me të. Ai nuk do të sulmojë territorin e NATO-s.”
I pyetur nëse dëshironte t’i dërgonte një paralajmërim Rusisë që të mos sulmonte territorin e NATO-s, Trumpi tha:
“Nuk dua të komentoj për këtë, por ata nuk do të sulmojnë.”






















