Vrapuesi kenian Philimon Kiptoo Kipchumba ka thyer rekordin e garës në kategorinë e meshkujve në edicionin e 48-të të Maratonës së Stambollit, të zhvilluar të dielën, ndërsa etiopasja Kasanesh Ayenew Baze ka fituar garën e femrave.
Kipchumba e përshkoi distancën prej 42,195 kilometrash për 2 orë, 8 minuta e 44 sekonda, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 2 orësh, 9 minutash e 44 sekondash, të vendosur nga bashkëkombësi i tij, Daniel Kibet, në vitin 2019.
Etiopasi Sufaro Woliyi Kebeto përfundoi i dyti në garën e meshkujve, ndërsa keniani Vincent Kipyegon Ronoh zuri vendin e tretë.
Maratona, e organizuar nga Spor Istanbul, filial i Komunës Metropolitane të Stambollit, dhe e sponsorizuar nga “Turkiye Is Bankasi”, u mbajt për herë të 48-të.
E njohur si maratona e vetme ndërkontinentale në botë, gara nisi 250 metra pas Urës së Dëshmorëve të 15 Korrikut, në anën aziatike të Stambollit, dhe përfundoi në Sheshin Sultanahmet.
– Atletet etiopase zënë të tri vendet e para në garën e femrave
Etiopasja Kasanesh Ayenew Baze fitoi garën e femrave me kohën 2 orë, 24 minuta e 40 sekonda.
Vrapueset etiopase zunë të tri vendet e para në podium, me Azmera Abreha Gdey që përfundoi e dyta me kohën 2 orë, 24 minuta e 47 sekonda.
Diribe Hirko Alemu, gjithashtu nga Etiopia, zuri vendin e tretë me kohën 2 orë e 25 minuta.
– Atleti turk Huseyin Can përfundon në vendin e 11-të
Ndër atletët e përfaqësueses turke që garuan në kategorinë elitare të meshkujve, Huseyin Can përfundoi në vendin e 11-të me kohën 2 orë, 17 minuta e 53 sekonda.
Can, i cili vitin e kaluar ishte renditur në mesin e dhjetë më të mirëve, këtë vit mbeti fare pranë dhjetëshes së parë.
Atleti tjetër turk, Mert Girmalegesse, u rendit i 12-ti me kohën 2 orë, 18 minuta e 47 sekonda.
Halil Yasin përfundoi në vendin e 14-të me kohën 2 orë, 19 minuta e 31 sekonda, i ndjekur nga Ahmet Alkanoglu në vendin e 15-të me 2 orë, 19 minuta e 38 sekonda.
Yavuz Agrali e përfundoi garën në vendin e 16-të me kohën 2 orë, 21 minuta e 44 sekonda.























