Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha të shtunën se Ankaraja ka paraqitur propozime konkrete për trajtimin e krizave globale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të G20-ës në qytetin amerikan Atlanta, duke e theksuar angazhimin e Ankarasë për një politikë të jashtme konstruktive dhe të orientuar drejt zgjidhjes së problemeve.
Duke folur për Anadolu dhe transmetuesin publik turk TRT në margjinat e takimit, Fidan e cilësoi mbledhjen e këtij viti si veçanërisht të rëndësishme në kohën kur po shtohet numri i krizave globale, përfshirë ndërprerjet në furnizimin me energji dhe presionin në rritje mbi zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Ai tha se diskutimet dhe kontributet e vendeve pjesëmarrëse mund të ndihmojnë në avancimin e përpjekjeve për trajtimin e disa prej sfidave më urgjente të botës.
Takimi dyditor, i organizuar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shërbeu si pjesë e përgatitjeve për samitin e liderëve të G20-ës, i cili do të mbahet në Majami në dhjetor.
- Krizat globale, energjia dhe zinxhirët e furnizimit
Fidan tha se ministrat e Jashtëm zhvilluan tri sesione kryesore, të përqendruara në krizat globale, sigurinë energjetike dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.
Ai vuri në dukje pengesat në rritje në Detin e Zi, Gjirin Persik dhe Detin e Kuq, duke paralajmëruar se ndërprerjet në këto rrugë ujore me rëndësi strategjike po ndikojnë seriozisht në tregtinë globale dhe rrjetet e furnizimit.
“Zinxhirët globalë të furnizimit janë ndërprerë rëndë. Janë zhvilluar diskutime lidhur me mënyrën se si mund t’i korrigjojmë ose zgjidhim këto çështje dhe çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare në këtë drejtim”, tha ai.
Fidan pranoi se diskutimet mes Rusisë dhe vendeve që mbështesin Ukrainën “nuk janë gjithmonë të lehta”, veçanërisht kur trajtohet situata në Detin e Zi dhe pasojat energjetike të luftës Rusi-Ukrainë.
Megjithatë, ai theksoi se diskutime të tilla janë të domosdoshme, në mënyrë që vendet t'i shprehin qartë qëndrimet e tyre dhe të shqyrtojnë zgjidhjet e mundshme.
- Türkiye synon rol konstruktiv në krizat ndërkombëtare
Fidan tha se Türkiye synon të dallohet përmes kontributeve konkrete dhe jo thjesht duke mbajtur qëndrime të ndryshme nga vendet e tjera.
“Türkiye i kushton rëndësi jo vetëm rolit tonë si ndërmjetës, por edhe, më e rëndësishmja, mbajtjes së një qëndrimi të dallueshëm nga ai i vendeve të tjera, një qëndrimi më konstruktiv dhe të përqendruar në zgjidhjen e problemeve.
Me fjalë të tjera, kur bëhet fjalë për krizat ndërkombëtare dhe rajonale, ne i japim përparësi një qëndrimi jo për hir të të qenit ndryshe, por për të qenë vërtet të dobishëm”, tha ai.
Ai shtoi se Ankaraja paraqet propozime konkrete që synojnë jo vetëm zgjidhjen e problemeve ekzistuese, por edhe trajtimin e dobësive strukturore të sistemit ndërkombëtar, me qëllim parandalimin e përsëritjes së krizave të ngjashme.
“Edhe pse në disa raste pati debate të ashpra, diskutimet ishin përmbajtësore. Türkiye paraqet propozime vërtet serioze, si për zgjidhjet praktike të problemeve ekzistuese, ashtu edhe për hapat që duhen ndërmarrë në aspektin sistemik për ta parandaluar përsëritjen e këtyre problemeve. Kjo ishte e rëndësishme”, theksoi Fidan.
- Kontakte të shumta diplomatike dypalëshe
Paralelisht me sesionet kryesore, Fidan zhvilloi takime dypalëshe me përfaqësues të më shumë se gjysmës së vendeve pjesëmarrëse, sipas tij.
Në mesin e takimeve të tij ishte edhe ai me Rubion, si dhe me zyrtarë nga Rusia, Britania, Franca, Meksika, Gjermania, Bashkimi Evropian dhe Arabia Saudite.
Ai tha se diskutimet përfshinë si sfidat globale, ashtu edhe zhvillimet rajonale, duke i cilësuar takimet si një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe shqyrtimin e mënyrave për trajtimin e krizave aktuale.
Fidan vlerësoi gjithashtu se udhëheqja e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe angazhimi diplomatik i Türkiyes e kanë forcuar pozitën ndërkombëtare të vendit.
“Türkiye është aktor, zëri i të cilit nevojitet në arenën ndërkombëtare”, tha ai.
Fidan tha se disa çështje urgjente mbeten në qendër të diskutimeve ndërkombëtare, veçanërisht angazhimi i vazhdueshëm diplomatik mes ShBA-së dhe Iranit.
Ai tha se vendet po ndjekin nga afër ecurinë e negociatave dhe nëse mund të shmanget një tjetër përballje ushtarake.
Sipas Fidanit, vendet pjesëmarrëse e ndajnë gjerësisht qëndrimin se duhet të parandalohet rifillimi i konfliktit dhe se diplomacisë duhet t’i jepet vazhdimisht një mundësi.
“Pothuajse të gjitha vendet janë në tryezën e negociatave. Ato kanë arritur konsensus për parandalimin e një konflikti të mëtejshëm dhe për t’i dhënë vazhdimisht një mundësi diplomacisë. Kjo, natyrisht, është një çështje e rëndësishme”, deklaroi Fidan.
Ai theksoi se e njëjta qasje diplomatike duhet të ndiqet edhe në trajtimin e tensioneve në Detin e Zi dhe në përpjekjet për ta parandaluar “ekspansionizmin” izraelit.























