| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Operacioni amerikan në Iran pritet të përfundojë brenda "javësh, jo muajsh"
Kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni mund të arrijë objektivat e tij në Iran pa dërguar trupa tokësore.
Operacioni amerikan në Iran pritet të përfundojë brenda "javësh, jo muajsh"
Operacioni amerikan në Iran pritet të përfundojë brenda "javësh, jo muajsh" / Reuters
4 orë më parë

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, deklaroi se operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit pritet të përfundojnë “brenda disa javësh, jo muajsh”, dhe se Uashingtoni mund t’i arrijë objektivat e tij “pa asnjë trupë tokësore”.

“Ne jemi përpara afatit në atë operacion dhe presim ta përfundojmë në kohën e duhur, brenda disa javësh, jo muajsh. Përparimi po shkon shumë mirë”, u tha Rubio gazetarëve para se të largohej nga Franca, ku mori pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të G7-s.

Ai shtoi se Uashingtoni është afër arritjes së objektivave të tij dhe “përfundimit të asaj detyre”.

“Ky nuk do të jetë një konflikt i zgjatur”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje, duke pretenduar se ShBA-ja është përpara afatit në shumicën e objektivave, përfshirë dobësimin e kapaciteteve raketore, të dronëve dhe ushtarake të Iranit.

“Ne po i arrijmë të gjitha këto objektiva. Jemi përpara afatit në shumicën prej tyre dhe mund t’i arrijmë pa asnjë trupë tokësore”, theksoi ai.

Rubio paralajmëroi gjithashtu se një sfidë e menjëhershme pas operacionit mund të jetë përpjekja e Iranit për të vendosur një “sistem tarifimi” në Ngushticën e Hormuzit, duke e quajtur një veprim të tillë “të paligjshëm, të papranueshëm dhe të rrezikshëm për botën”.

“Është e rrezikshme për botën dhe është e rëndësishme që bota të ketë një plan për ta përballuar këtë”, shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael kanë kryer sulme ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke shkaktuar mbi 1.340 viktima.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe ndaj Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.

Të paktën 13 ushtarë amerikanë janë vrarë që nga fillimi i luftës dhe konflikti ka rritur çmimet e energjisë dhe ka ndikuar në transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.