Irani njoftoi të premten se në 25 ditët e fundit, në sulmet e ShBA-Izrael ndaj këtij vendi, janë vrarë 237 gra dhe më shumë se 200 fëmijë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Informative e Qeverisë, kreu i Organizatës Iraniane për Emergjenca deklaroi se në mesin e viktimave ka më shumë se 200 persona nën moshën 18 vjeç dhe 237 gra.
Ai shtoi se që nga fillimi i luftës janë plagosur më shumë se 4.000 gra dhe 1.600 të mitur.
Zyrtari tha se edhe gjashtë pjesëtarë të shërbimeve të urgjencës kanë humbur jetën.
Ai raportoi për dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e ambulancave, përfshirë një helikopter për ndërhyrje ajrore emergjente dhe 35 automjete ambulance, si dhe se 49 qendra të ndihmës së shpejtë janë goditur, prej të cilave gjashtë janë shkatërruar plotësisht.
I gjithë rajoni është përfshirë nga përshkallëzimi i tensioneve që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli më 28 shkurt nisën një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit, në të cilën deri më tani janë vrarë më shumë se 1.340 persona, përfshirë edhe udhëheqësin suprem të atëhershëm Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me valë sulmesh me dronë dhe raketa të drejtuara ndaj Izraelit, Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit ku ndodhen baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke shkaktuar çrregullime në tregjet globale dhe trafikun ajror.


















