Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për masa të përkohshme të produkteve themelore në raste të destabilizimit ne treg, me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve nga shtrenjtimi i paarsyeshëm i çmimeve të produkteve themelore, i njohur edhe si projektligji për çmimet tavan.
Deputetët me shumicë votash, përkatësisht 63 nga 120 deputetë të Kuvendit, votuan pro këtij projektligji, ndërsa 19 ishin kundër dhe nuk kishte asnjë abstenim.
Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, tha se fokusi është për mbrojtjen e qytetarëve dhe se ky ligj do të shërbejë si instrument i jashtëzakonshëm në situatë të jashtëzakonshme. Sipas tij, ligji është vetëm kundër abuzimit me çmimet.
“Ky ligj nuk është kundër biznesit dhe tregut të lirë”, shtoi ai.
Murati tha se karakteristikë e legjislacionit është që ai ngushtohet vetëm në disa masa të përkohshme dhe parasheh caktimin e marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar.
Karakteristika e dytë, sipas Muratit, është mekanizmi i ri rregullator, përkatësisht themelimi i një bordi të pavarur për masat e përkohshme për rregullimin e çmimit dhe sipas tij, ky bord 5-anëtarësh do të jetë organ i pavarur, i krijuar nga Kuvendi dhe që i raporton po këtij institucioni.
Partitë opozitare në Kuvend e kritikuan këtë ligj.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se qëllimi i këtij projektligji nuk është ulja e çmimeve, por pengimi i tregut të lirë nga ana e qeverisë.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tha se Kosova nuk është vend komunist për të ndërhyrë në tregun e lirë me anë të një partie.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) konsideruan se me këtë projektligj qeveria u imponohet operatorëve ekonomikë. Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, bordi do të përbëhet nga dy njerëz nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe tre të tjerë i zgjedhë qeveria, duke argumentuar se ky trup nuk do të jetë i pavarur.
Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për çmimet tavan në vitin 2023 duke vlerësuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit. Por ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e cila e prezantoi në Qeverinë e Kosovës më 3 prill këtë projektligj, tha se në propozimin e dytë të tij janë marrë në konsideratë rekomandimet nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.





















