Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, në lidhje me procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE), ka deklaruar se ky proces është prioriteti strategjik kombëtar.
Në një konferencë për mediat në Tiranë, ministri Hoxha u fokusua në çështjet që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, zhvillimet në rajon, rolin e Shqipërisë në rajon dhe çështje të tjera.
"Ky proces (anëtarësimi në BE) është prioriteti ynë strategjik kombëtar dhe busulla që udhëheq gjithçka që bëjmë në këtë vend. Integrimi evropian shkon përtej anëtarësimit në BE, është zemreku i punës tonë, është matësi i ritmit dhe është treguesi i rezultateve tona. E konfirmojnë institucionet evropiane, Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm dhe shembullor në avancimin e negociatave, duke vijuar punën për përmbushjen e detyrimeve që kemi marrë dhe që i kemi marrë bashkërisht me Komisionin Evropian", tha Hoxha.
Kryediplomati Hoxha tha se Shqipëria është kontribuuese neto në stabilitet, në bashkëpunim, në fqinjësi të mirë, në miqësi mes popujve dhe vendeve dhe se ky është investimi më parë në planin rajonal, ndërkohë sipas tij asnjë vend tjetër nuk e bën më mirë sesa Shqipëria këtë. Sipas ministrit Hoxha, forcimi i gjithanshëm i marrëdhënieve, të bashkëpunimit dhe mbështetja pa rezervë për Kosovën është dhe mbetet në linjën e parë.
Hoxha u shpreh ndër të tjera se Shqipëria në mënyrë të padiskutueshme mbetet një partner i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, për marrëdhënie të mira, miqësore me të gjithë.
Në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë, kryediplomati i Shqipërisë theksoi: "Sot mund të iu them që gjendemi në situatën më pozitive në marrëdhëniet tona ndonjëherë me Greqinë. Kemi krijuar një ekip në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ndërinstitucional në lidhje me të tërë problematikat që kanë të bëjnë me atë që mund ta quajmë e drejta e detit. Kemi çështje për të zgjidhur që janë më shumë të natyrës teknike, edhe me ndarjen e zonave ekonomike ekskluzive".
Në lidhje mbi qëndrimet dhe marrëdhëniet me Serbinë, ai theksoi se shpesh linjëzohen në deklaratat në nivel rajonal, duke shtuar se janë vend që investojnë në marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.
"Do të jetë e vështirë që i gjithë rajoni të shkojë në Evropë nëse nuk do të zgjidhim dhe këtë çështje që unë dua ta quaj të fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, që është dakordësia finale. Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokraci dhe shtet ligjor. Unë shpresoj dhe uroj që Kosova ta marrë sa më parë statusin e vendit kandidat (në BE)", tha ndër të tjera Hoxha.
Ministri Hoxha theksoi se Samiti i Diasporës Shqiptare që do të mbahet më 13-15 prill në Tiranë është një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të këtij viti.





















