Ka përfunduar sot dytë e negociatave mes Libanit dhe Izraelit në Romë, tha për Anadolu një burim libanez, ndërsa agresioni ushtarak izraelit vazhdoi në disa pjesë të Libanit.
“Seancat e ditës së dytë të negociatave mes Libanit dhe Izraelit, të zhvilluara të mërkurën në Romë, kanë përfunduar”, tha burimi.
Bisedimet treditore, të cilat nisën të martën dhe do të vazhdojnë deri të enjten, e shënojnë raundin e dytë të organizuar nga Roma, pas pesë raundeve të mëparshme në Uashington, si pjesë e një procesi negociatash të ndërmjetësuar nga ShBA-ja.
Negociatat po zhvillohen në një kohë kur sulmet izraelite në Liban vazhdojnë, përfshirë fluturime intensive të dronëve dhe avionëve luftarakë mbi Bejrut dhe qytetin jugor Tir, sulme ajrore të simuluara dhe bombardime ndaj zonave në jug të Libanit.
Izraeli vazhdon të pushtojë zona në jug të Libanit, disa prej të cilave prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e viteve 2023-2024, ndërsa ofensiva e fundit e tij ka depërtuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit libanez.
Më herët të mërkurën, një zyrtar i lartë libanez tha për Anadolu se “atmosfera në ditën e dytë ishte shumë më e mirë se në ditën e parë”.
Uashingtoni dha reagime pozitive për prezantimin e Libanit, por Bejruti ende është në pritje të një përgjigjeje nga udhëheqja politike izraelite për rinovimin e armëpushimit dhe ndalimin e shkeljeve izraelite, shtoi zyrtari.
Sipas burimit, dita e dytë përfshiu tri takime paralele që trajtuan çështjet politike, ushtarake dhe kufitare, ndërsa diskutimet u bënë më konkrete krahasuar me seancat e së martës.
Negociatat po vazhdojnë pavarësisht sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe pas marrëveshjes kornizë të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, të nënshkruar nga Bejruti dhe Tel Avivi në qershor.
Më herët të mërkurën, një civil libanez u vra dhe 12 të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në qytetin jugor Tebnine, ndërsa familje u larguan nga qyteti Mansouri pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime për evakuim në mes të përshkallëzimit.
Libani dhe Izraeli nënshkruan marrëveshjen e fundit kornizë në Uashington, nën kujdesin e ShBA-së, më 26 qershor 2026, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territoret e pushtuara libaneze, duke filluar me zona pilot ku ushtria libaneze do të marrë gradualisht përgjegjësinë për sigurinë.
Marrëveshja parashikon një tërheqje graduale izraelite nga territoret e pushtuara libaneze në këmbim të vendosjes së ushtrisë libaneze dhe çarmatimit të grupeve të armatosura, në një referencë të dukshme ndaj Hezbollahut.
Izraeli ka vazhduar agresionin në Liban që nga 2 marsi, duke vrarë 4.333 persona dhe duke plagosur 12.250 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.




















