Komisioni Evropian miratoi të hënën një ndihmë të re prej 7,1 miliardë dollarësh për mbrojtjen e Ukrainës, që përfshin sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore, raketa, municione dhe radarë.
“Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Evropa dëshmon se mbështetja jonë është e palëkundur dhe konkrete”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Ndërsa Rusia intensifikon sulmet e saj, ne po rrisim mbështetjen për ta ndihmuar Ukrainën ta mbrojë popullin dhe hapësirën e saj ajrore. Evropa qëndron përkrah Ukrainës dhe do t’i sigurojmë atë që i nevojitet, kur t’i nevojitet”, tha von der Leyen.
Kredia për Mbështetjen e Ukrainës
Financimi është pjesë e paketës së kredisë prej 105,1 miliardë dollarësh për mbështetjen e Ukrainës, e cila parashikon 70,1 miliardë dollarë për mbrojtjen dhe 35 miliardë dollarë mbështetje buxhetore për periudhën 2026–2027.
Komisioni tha se përdorimi i shtuar nga Moska i raketave balistike dhe dronëve me motor reaktiv e ka bërë gjithnjë e më urgjente forcimin e mbrojtjes ajrore të Kievit dhe përshpejtimin e dërgesave të pajisjeve jetike të mbrojtjes.
Miratimi i fundit u shtohet planeve të prokurimit në fushën e mbrojtjes në vlerë prej 18,7 miliardë dollarësh, të miratuara tashmë në kuadër të kredisë, prej të cilave janë disbursuar 9,7 miliardë dollarë, sipas Komisionit.
Shumica e pajisjeve do të sigurohen nga kompanitë evropiane të mbrojtjes.
Komisioni tha se dërgesat duhet të shtohen përmes shfrytëzimit të rezervave ekzistuese, ripërcaktimit të përparësive të porosive dhe rritjes së prodhimit.
Ai shtoi se Ukraina mund të kërkojë pagesat duke paraqitur kontratat e nënshkruara me kompanitë e mbrojtjes.
Komisioni do t’i shqyrtojë kontratat përpara disbursimit të fondeve, për t’u siguruar se ato mbulojnë prokurimet për të cilat është rënë dakord me shtetet anëtare të BE-së dhe Komisionin.
Kredia prej 105,1 miliardë dollarësh për mbështetjen e Ukrainës u krijua nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së në shkurt të vitit 2026.
BE-ja dhe shtetet e saj anëtare i kanë ofruar Ukrainës gjithsej 256,9 miliardë dollarë mbështetje që nga viti 2022, përfshirë 4,4 miliardë dollarë nga të ardhurat e krijuara prej aseteve të ngrira ruse, sipas Komisionit.


















