Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha sot në Tivat se liderët e Bashkimit Evropian të mbledhur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor kanë ardhur për të dhënë mbështetje të fortë për Malin e Zi në integrimet e tij evropiane.
Macron theksoi se BE-ja e sheh Malin e Zi si një nga anëtarët e ardhshëm më të mundshëm dhe se qëllimi i partnerëve evropianë është ta ndihmojnë vendin në përshpejtimin e procesit të reformave dhe integrimit.
“Kemi ardhur për të dhënë mbështetje për punën e Malit të Zi dhe të autoriteteve malazeze që të mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian”, tha Macron, duke theksuar se liderët evropianë duan të ndihmojnë që procesi i integrimit të përshpejtohet më tej.
Ai shtoi se zgjerimi i BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor është një objektiv strategjik dhe se Mali i Zi ka një vend të veçantë në këtë proces. Sipas tij, prania e liderëve evropianë në Tivat përbën konfirmim të vullnetit të qartë politik të BE-së për të vazhduar politikën e zgjerimit dhe forcimin e bashkëpunimit me rajonin.
Samiti BE–Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Tivat ka mbledhur liderë të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të rajonit, ndërsa fokusi i bisedimeve është në integrimet evropiane, reformat dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.























