Togeri i Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, i akuzuar për spiunazh, Bojan Jevtiq, ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.
Gjyqtari i rastit, Kushtrim Shyti, bëri të ditur lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, në Gjykatën Themelore, në seancën dëgjimore sa i përket shqyrtimit të marrëveshjes së fajësisë.
Në bazë të aktakuzës, Jevtiq, i cili është pezulluar nga Policia e Kosovës, i ka dërguar Serbisë dokumente konfidenciale dhe sekrete, nëpërmjet platformave të komunikimit me internet.
Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Sipas Prokurorisë Speciale, Jevtiqi i ka dërguar BIA-s informata si shkak i të cilave janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës e edhe qytetarëve.
Në aktakuzë theksohet se për t’i transmetuar sekretet shtetërore tek zyrtari i BIA-s, me nofkën “Qira”, me të cilin është takuar edhe fizikisht në disa raste në Beograd, Jevtiq ka komunikuar nëpërmjet aplikacioneve “WhatsApp” dhe “Telegram”.



















