Ringjallja e tulipanit të humbur turk: Si një roje rishkroi historinë e botanikës
TÜRKİYE
7 minuta leximi
Ringjallja e tulipanit të humbur turk: Si një roje rishkroi historinë e botanikësI dokumentuar për herë të fundit në vitin 1896 dhe i konsideruar i zhdukur për më shumë se një shekull, legjendari Tulipa sprengeri është rizbuluar në malet e rrëpirta të Amasyas nga një dashamirës i natyrës me sy të mprehtë.
Ringjallja e tulipanit të humbur turk: Si një roje rishkroi historinë e botanikës. / TRT World

Prej brezash, majat e larta dhe luginat e fshehta që rrethojnë qytetin historik të Amasyas në veri të Türkiyes kanë qenë skena e një gjuetie të heshtur me fiksime. Akademikë, botanistë me përvojë dhe gjuetarë të huaj bimësh kanë kaluar më shumë se një shekull duke zbuluar terrenin e vështirë në kërkim të Tulipa sprengeri, ose "Tulipanit të Humbur Turk", një bimë aq e rrallë sa ekzistenca e saj e dokumentuar në natyrë u ndërpre befas në vitin 1896.

Kërkimi për tulipanin mori fund në fillim të këtij viti.

Por zbulimi përfundimtar nuk erdhi nga një ekspeditë universitare apo nga një projekt shkencor me financime të mëdha. Historinë e shkroi Ercan Eftelioğlu, tashmë roje në pension, i cili fundjavat i kalon duke ecur nëpër natyrë. Duke i mbajtur sytë më pranë tokës se pjesa tjetër e grupit të tij të ecjes, Eftelioğlu arriti atë që komuniteti ndërkombëtar botanik e kishte quajtur të pamundur: gjeti ikonën e humbur të florës osmane.

Një lidhje e përjetshme me tokën

Për të kuptuar se si Erchan Eftelioğlu ia doli aty ku dështuan kaq shumë ekspertë, duhet parë prejardhja e tij. I lindur në vitin 1974 në zonat rurale të Amasyas, lidhja e tij e thellë me botën natyrore nisi që në fëmijëri.

"Ngaqë kam lindur dhe jam rritur në fshat, kam pasur një interes të veçantë dhe të rrënjosur thellë për natyrën dhe bimët që kur isha i vogël”, shprehet Eftelioğl për TRT World. "Për më tepër, babai ynë ishte roje pylli. Në familjen tonë, dashuria e thellë për natyrën është diçka e trashëguar; ajo përcillet brez pas brezi".

Që herët, Eftelioğlu ndjeu një tërheqje të veçantë ndaj tulipanit, një lule që mbart peshë të thellë historike, kulturore dhe shpirtërore në Türkiye, e veçanërisht në Amasya.

"Është një bimë e ndërthurur ngushtë me identitetin e Amasyas. Në ikonografinë tradicionale, ajo simbolizon unitetin e Hyjnores dhe qëndron si emblema përfundimtare e Perandorisë Osmane”, shpjegon ai.

"Meqenëse një tulipan i çelur plotësisht i ngjan shumë shkrimit arab të fjalës 'Allah', ai pushtoi imagjinatën e princave osmanë, pasardhësve të sulltanëve, që jetuan dhe sunduan këtu në Amasya. U bë nënshkrimi i flamurit osman, një motiv i gjithëpranishëm në kaligrafinë e xhamive dhe një element themelor i endjes tradicionale të qilimave”.

Momenti i zbulimit

Ishin pikërisht ecjet javore të Eftelioğlu me një grup vendor malësorësh, Akdost, në terrenin e gjerë malor të Amasyas, që çuan te zbulimi më 7 qershor 2026. Ndërsa të tjerët ecin për stërvitje ose për shoqëri, vëmendja e tij mbeti gjithnjë e ngulitur te toka nën këpucët e tij.

"Unë vëzhgoj gjithmonë me kujdes mjedisin, mbledh bimë të ndryshme mjekësore dhe lule të egra", kujton Eftelioğlu. "Atë ditë, teksa po skanoja rrethinat, më zuri syri një lloj i pazakontë tulipani. Grupi me të cilin isha ishte mjaft i madh dhe praktikisht të gjithë kaluan pikërisht pranë të njëjtit vend. Por meqë nuk e dinin historinë, thjesht bënë ca fotografi rastësore, menduan se ishte një lule e egër e zakonshme dhe vazhduan rrugën".

Eftelioğlu nuk lëvizi nga vendi. Mendja e tij e lidhi menjëherë lulen përpara tij me diçka që e mbante mend nga e kaluara.

"E dija kontekstin”, thotë ai. "Vite më parë, dikush më kishte njohur me tiparet specifike të kësaj bime, dhe menjëherë m'u duk se ky ekzemplar i ngjante jashtëzakonisht shumë Tulipanit legjendar të Humbur të Amasyas".

Eftelioğlu dhe i vëllai kishin kaluar, në fakt, vite duke kërkuar tulipanin nëpër Amasya, madje kishin mbledhur disa mostra premtuese dhe ua kishin dërguar autoriteteve. Por, thotë ai, përgjigjja zyrtare ishte gjithmonë e njëjta: "lloji ishte i zhdukur, linja e tij ishte fshirë tërësisht nga natyra".

Duke mos lejuar që momenti t'i shpëtonte nga duart, Eftelioğlu bëri fotografi të hollësishme të lules dhe vendosi t'i anashkalonte kanalet e zakonshme burokratike, duke iu drejtuar drejtpërdrejt ekspertëve të vijës së parë.

Nga shpati i malit në laborator

Fotografitë e Eftelioğlu shkaktuan një reaksion zinxhir të menjëhershëm në majat e botanikës turke. Ai ia dërgoi imazhet Salih Sercan Kanoğlut, drejtor i Kopshtit Botanik Nezahat Gökyiğit në Istanbul. Duke kuptuar potencialin e jashtëzakonshëm të gjetjes, Kanoĝlu nuk humbi kohë dhe kontaktoi menjëherë profesor Ismail Ekerin nga Departamenti i Biologjisë i Universitetit Bolu Abant Izzet Baysal.

Duke lënë mënjanë çdo angazhim, të dy ekspertët udhëtuan për në Amasya, u takuan me Eftelioğlu dhe ecën deri te vendi i fshehtë ku Tulipani i Humbur po mbahej mbi jetë. Ekzaminimi fizik konfirmoi atë që të dhënat historike e kishin mohuar prej kohësh: Tulipa sprengeri ishte gjallë.

Ironia historike e zbulimit nuk i shpëton Eftelioğlu. "Ky lloj i veçantë tulipani u mor nga toka e tij amtare shekuj më parë nga diplomatë dhe koleksionistë evropianë bimësh," vëren ai. "Për një kohë shumë të gjatë, ekzemplarët e fundit të njohur të gjallë të këtij lloji besohej se ekzistonin vetëm brenda kopshteve private të Familjes Mbretërore Britanike. Ta gjesh atë duke lulëzuar këtu, aty ku nisi udhëtimi i tij, është thjesht një mrekulli."

Brishtësia e një mrekullie botanike

Ndërsa komuniteti shkencor feston, Eftelioğlu nuk ushqen asnjë iluzion për gjendjen e pasigurt të zbulimit. Vendndodhja e zonës po mbahet aktualisht sekret i ruajtur me kujdes dhe autoritetet kanë vepruar shpejt për ta vendosur zonën nën mbrojtje të rreptë mjedisore.

"Natyra ka një mënyrë madhështore për t'i ofruar njerëzimit surpriza të mëdha, madje edhe në momentet tona më të dëshpëruara", reflekton Eftelioğlu. "Ringjallja e Tulipanit të Humbur është ndoshta prova më e prekshme dhe më emocionuese e kësaj. Ai qëndroi i fshehur në një cep të harruar të natyrës, duke pritur të lulëzonte sërish. Por, ndonëse ky zbulim i papritur ka sjellë një valë gëzimi në botën botanike, ai vendos gjithashtu një peshë të madhe e të pamohueshme përgjegjësie mbi supet e dashamirësve të natyrës si ne."

Ai paralajmëron se emocioni i gjetjes nuk duhet të shndërrohet në vetëkënaqësi. Mbijetesa e Tulipa sprengeri mbetet në tehun e thikës.

"Rizbulimi i Tulipanit të Humbur është pa dyshim një pikë kthese historike për ruajtjen e biodiversitetit", thekson Eftelioğlu.

"Megjithatë, fakti që e gjetëm nuk do të thotë se rreziku ka kaluar. Përkundrazi, ai nxjerr në pah sa i brishtë dhe sa delikat është në të vërtetë ekuilibri i ekzistencës së këtij lloji. Duke mbijetuar në një xhep gjeografik jashtëzakonisht të kufizuar, në kushte klimatike dhe topografike tepër specifike, kjo bimë mbetet krejtësisht e pambrojtur ndaj ndërhyrjes njerëzore dhe krizës klimatike në përshpejtim".

Një plan për mbijetesë

Për të siguruar që Tulipani i Humbur të mos zhduket për herë të dytë e përgjithmonë, Eftelioğlu po mbron idenë e një kuadri të rreptë e shumështresor mbrojtjeje, që lidh vigjilencën e bazës me shkencën institucionale.

"Zona specifike ku u zbulua tulipani duhet të shpallet menjëherë si një shenjtërore e paprekshme," pohon Eftelioğlu. "Zona duhet të mbyllet ligjërisht dhe përgjithmonë ndaj çdo forme zhvillimi tokësor, kullotjeje bujqësore dhe veprimtarie minerare."

Falë pasionit të tij për natyrën, Eftelioğlu njeh gjithashtu qasjet shkencore që, sipas tij, duhen përdorur për ruajtjen e tulipanit.

"Dinamika e popullsisë së kësaj kolonie duhet të monitorohet me përpikëri nga botanistë specialistë. Për më tepër, farat e saj duhet të mblidhen dhe të ruhen në banka gjenetike kombëtare dhe ndërkombëtare, si një policë sigurimi kundër një katastrofe ekologjike lokale", thotë ai.

"Në asnjë rrethanë ky vend zbulimi nuk duhet të shndërrohet në një destinacion tregtar turistik. Pesha e madhe e këmbësorëve do të çonte në ngjeshjen e tokës, duke shkatërruar ekologjinë delikate dhe duke shtypur qepujkat nëntokësore të tulipanit ".

Për kujdestarin që hyri në faqet e historisë së botanikës, mësimi i Tulipa sprengeri shtrihet shumë përtej një lule të vetme. Ai është një udhëzim se si njerëzimi duhet të ndërveprojë me natyrën e egër.

"Një dashamirës i vërtetë i natyrës nuk është dikush që thjesht qëndron mënjanë dhe vëzhgon në mënyrë pasive", thotë Eftelioğlu. "Një mbrojtës i vërtetë i natyrës është dikush që mbron në mënyrë aktive të drejtat e tokës dhe lufton për ta ruajtur atë. Në mbrojtjen e llojeve të rralla e të paçmuara si Tulipani i Humbur, secili prej nesh ka një detyrë jetike dhe të panegociueshme për të përmbushur", thotë ai.

Duke përmbledhur, ai shprehet: "Nuk duhet të marrim asgjë nga natyra veç fotografive, dhe të mos lëmë pas asgjë veç gjurmëve të këmbëve tona.”

Eksploro
Erdoğan pret me ceremoni zyrtare kryeministrin kanadez Carney
Kryediplomati turk do të presë të premten në Stamboll diplomatë të lartë për takimet R4 dhe R4+E3
Istanbuli do të presë Konferencën e 9-të të Ndërmjetësimit
Kryediplomati turk: Marrëveshja detare Türkiye-Libi është “plotësisht legjitime”
Presidenti turk dhe kryeministri bullgar diskutojnë çështjet rajonale dhe globale
Türkiye synon prodhim të përbashkët mbrojtës me Katarin, Pakistanin dhe Indonezinë
Erdoğan dhe Aliyev diskutojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale
Zonja e parë e Türkiyes bën thirrje për veprim global për mbrojtjen e fëmijëve në zonat e konfliktit
Kryediplomati turk takohet me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së në Bruksel
Kryeministri kanadez do ta vizitojë Türkiyen në datat 22-23 tetor
Erdoğan përshëndet miratimin e marrëveshjes detare nga ana e parlamentit libian
Ministri turk i Mbrojtjes takohet me homologun nga Katari
Türkiye përshëndet vendimin e parlamentit libian lidhur me marrëveshjen detare
Ministri turk i Financave: Türkiye do ta forcojë mbikëqyrjen dhe kontrollin e tregjeve të kapitalit
Fidan takohet me Rutten në Bruksel, siguria në Detin e Zi dhe roli i Türkiyes në NATO në fokus
Kryeparlamentari turk takon presidentin kirgiz në kuadër të TURKPA-s në Bishkek
Ministri turk i Mbrojtjes viziton Katarin për marrëveshjen e bashkëpunimit midis katër vendeve
Ministri i Jashtëm turk takohet me homologun belg në Bruksel
Presidenti turk Erdoğan: E kemi mbajtur vendin tonë larg konflikteve përreth nesh
Türkiye do ta presë Konferencën e 9-të të Istanbulit për Ndërmjetësimin më 23-24 tetor