Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli.
Haxhiu nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se me Komandantin Wikoff bisedoi për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin e institucioneve kosovare me KFOR-in dhe për rëndësinë e koordinimit të rregullt me NATO-n.
Haxhiu theksoi se anëtarësimi në NATO mbetet synimi strategjik i Kosovës.
“E falënderova Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, theksoi ajo.
Gjithashtu, Haxhiu tha se Kosova do të vazhdojë ta forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Komandanti i KFOR-it, gjenerali Özkan Ulutaş.






















