| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kosova dhe Franca nënshkruajnë pesë marrëveshje në drejtësi, arsim dhe Lojërat Mesdhetare
Ministri në detyrë Konjufca tha se Franca që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës dhe shtyllë e projektit për integrimin evropian.
Kosova dhe Franca nënshkruajnë pesë marrëveshje në drejtësi, arsim dhe Lojërat Mesdhetare
Kosova dhe Franca nënshkruajnë pesë marrëveshje në drejtësi, arsim dhe Lojërat Mesdhetare

Kosova dhe Franca kanë nënshkruar pesë marrëveshje të përbashkëta në një ceremoni në nivel ministrash.

Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, aty ku ministri në detyrë i kësaj ministrie priti në takim ministrin për Evropë të Francës, Benjamin Haddad, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Dy ministrat fillimisht nënshkruan Letrën e Qëllimit për themelimin e Komunitetit Kosovaro-Francez për mbështetjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, më pas Marrëveshjen Administrative lidhur me mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë; Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale; Marrëveshjen për ekstradim dhe Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillimin dhe projektin e Lojërave Mesdhetare.

Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, ministri në detyrë Glauk Konjufca tha se Franca që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe mbetet partner i rëndësishëm i Kosovës dhe shtyllë e projektit për integrimin evropian.

Ai tha se ndihma e Francës për Lojërat Mesdhetare 2030 ja jep atyre “një dimension të ri”. Konjufca tha se roli i Francës për ndërtimin e një Evrope më të fortë dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor është i pazëvendësueshëm.

“Po ashtu diskutuam edhe për situatën e sigurisë në rajon. Retorikat që justifikojnë ose relativizojnë krimet e viteve të 90-ta siç po ndodhin nga Serbia janë jo vetëm provokim por janë edhe të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit, të paqes dhe demokracisë dhe nuk mund të kenë vend ato në Evropën demokratike”, theksoi Konjufca.

Ai në fund tha se ashtu siç edhe u zotua dje ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, Kosova qëndron në solidaritet me Francën dhe është e gatshme t’i ndihmojë asaj teksa po përballet me zjarret e tmerrshme pranë Bordosë.

Ministri francez Haddad, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, tha se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të vjetra dhe të vazhdueshme.

“Një Evropë e fortë, në paqe dhe sovrane është një Evropë e riunifikuar me gjithë rajonin. Jam i kënaqur që kemi punuar vitet e fundit për të forcuar marrëdhëniet bilaterale. Dhe vizita sotshme i jep moment të ri këtyre marrëdhënieve. Jam shumë i kënaqur që nënshkruam pesë marrëveshje gjithëpërfshirëse për të punuar në një agjendë pozitive në kuadër të marrëdhënieve bilaterale. Këto marrëveshje janë konkrete dhe me perspektivë për bashkëpunim afatgjatë”, theksoi Haddadi.

Haddadi tha se bashkë me të në Kosovë po qëndrojnë edhe një numër kompanish dhe përfaqësues biznesesh franceze sepse “besojnë në bashkëpunim” për të forcuar marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve.

Ai bëri të ditur se ndër tjerash marrëveshja Kosovë-Francë përfshin 60 milionë euro kredi nga Franca për renovimin e Konviktit të Studentëve me qëllim që t'i shërbejë qëndrimit të sportistëve në Lojërat Mesdhetare dhe po ashtu.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë