Lituania ka shpallur një “situatë ekstreme” në mbarë vendin, pasi një stuhi e fuqishme gjatë fundjavës shkaktoi dëme të mëdha në të mbjella, bagëti dhe infrastrukturën bujqësore.
Sipas transmetuesit publik LRT, ministri i Bujqësisë, Kestutis Mazeika, tha se masa do t’i ndihmojë fermerët e prekur të përmbushin detyrimet e tyre, si dhe do t’i mundësojë qeverisë të kërkojë ndihmë nga Komisioni Evropian dhe t'i përdorë fondet e rezervës shtetërore për t'i zvogëluar humbjet.
Vlerësimet paraprake tregojnë se pjesa perëndimore e Lituanisë është goditur më rëndë, me 30 deri në 60 për qind të të mbjellave të dëmtuara në disa zona.
Sipas ministrit lituanez, mund të jenë prekur rreth 56.000 hektarë të mbjella.
Ndërprerjet e energjisë elektrike shkaktuan gjithashtu humbje në fermat e blegtorisë, shpendëve dhe kërpudhave. Ndërprerjet në komunikime e kanë bërë të vështirë vlerësimin e plotë të përmasave të dëmeve.
Katër komuna tashmë kanë shpallur gjendje emergjente, tha Mazeika, duke shtuar se dëme të shkaktuara nga stuhia janë raportuar edhe në zona të tjera.





















