Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se procesi i optimizimit të pozicionimit të trupave të tij po vazhdon në mënyrë graduale dhe të koordinuar me institucionet e Kosovës, Bashkimit Evropian (BE), Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
KFOR-i ka njoftuar se aktualisht po kalon nëpër një proces për optimizimin e pozicionimit të tij, ashtu siç u njoftua më 12 qershor 2026 dhe kjo po bëhet për të siguruar që KFOR-i të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij.
“KFOR-i po angazhohet rregullisht me të gjitha palët e interesuara lidhur me këtë proces, përfshirë homologët vendorë dhe Forcat e Armatosura të Serbisë. Procesi mund të kthehet mbrapsht nëse kjo kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal”, njofton KFOR-i.
Admirali George Wikoff, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFCNP), tha se vendimet lidhur me praninë e KFOR-it te Ura e Mitrovicës bazohen në vlerësimin për situatën e sigurisë.
Ai tha se prania e KFOR-it do të shtohet në disa zona, përfshirë, por pa u kufizuar në, Mitrovicën e Veriut dhe veriun e Kosovës.
"KFOR-i nuk e ka mandatin për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo u takon BE-së dhe institucioneve përkatëse në Kosovë që ta përcaktojnë, pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”, tha Wikoff.
Ndërkaq, Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, tha se angazhimi i KFOR-it për sigurinë e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë është i palëkundur, sipas tij, siç dëshmohet nga prania e vazhdueshme dhe e dukshme e personelit në terren, përfshirë “përmes patrullimeve të rregullta, pikave të vëzhgimit dhe angazhimeve me komunitetet lokale”.






















