Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë vendim për mbylljen e përkohshme të Kalasë së qytetit të Prizrenit për shkak të dëmtimit të disa pjesëve të saj dhe nevojës për ndërhyrje profesionale.
Nëpërmjet një njoftimi për media bëhet e ditur nga ministria se një vendim i tillë është marrë për shkak të fillimit të punimeve për zbatimin e masave emergjente në Kalanë e Prizrenit.
“Qasja për vizitorë në këtë aset do të mbyllet përkohësisht për një periudhë prej dy javësh, duke filluar nga sot. Vendimi është marrë nga Njësia Menaxhuese e Kalasë së Prizrenit, me miratimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, me qëllim të krijimit të kushteve të sigurta gjatë zhvillimit të punimeve”, thuhet në njoftim.
Ministria ka bërë të ditur se për çdo ndryshim lidhur me afatin e mbylljes dhe rihapjen e kalasë për vizitorë, publiku do të njoftohet me kohë.
Më 27 prill të këtij viti, Ministria e Kulturës dhe Turizmit po ashtu kishte njoftuar për mbylljen e përkohshme të disa zonave të caktuara në Kalanë e Prizrenit.
Sipas ministrisë, ky vendim ishte marrë mbi bazën e vlerësimeve profesionale që disa zona paraqisnin rrezik për vizitorët.
Kalaja e qytetit të Prizrenit është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe Kosovës.
Kalaja i ka fillet e saj në periudhën e parë të qytetërimit të këtij rajoni, në parahistori, me një zhvillim të vazhdueshëm në periudhën bizantine dhe osmane.



















