Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi të martën se kufizimet izraelite në pikat kufitare të Rripit të Gazës po pengojnë rëndë operacionet humanitare, ndërsa mungesa e karburantit rrezikon të ndalë shërbimet thelbësore në të gjithë territorin nën bllokadë.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha në një konferencë për shtyp se “të gjitha pikat kufitare, përveç asaj Kareem Shalom Abu Salam, vazhdojnë të jenë të mbyllura”, duke i përshkruar këto mbyllje si ndër “sfidat e shumta të vazhdueshme” me të cilat përballen punonjësit e ndihmës.
Dujarricu tha se vetëm 1,4 milion litra karburant kanë hyrë në Gazë që nga e marta, duke paralajmëruar: “Na duhen më shumë se 2 milionë litra karburant çdo javë për të shmangur ndërprerjen ose reduktimin e shërbimeve tona.”
Ai theksoi se mungesa e karburantit po pengon gjithashtu përpjekjet për largimin e mbetjeve. Sipas tij, që nga 10 shkurti, ekipet e ndihmës kanë larguar “3.000 metra kub mbetje të ngurta nga mbi 350.000 metra kub mbetje të grumbulluara”.
“Kjo, vetëm për të theksuar se ky ritëm është dukshëm nën planin e parashikuar për shkak të sfidave në furnizimin me karburant dhe pasigurisë”, tha zëdhënësi i OKB-së.
Dujarricu shtoi se përpjekjet për strehim po mbeten gjithashtu nën pritmë, pasi kufizimet izraelite për materialet e ashtuquajtura “me përdorim të dyfishtë”, përfshirë “komplete veglash, pajisje të rënda, dru dhe çimento”, po kufizojnë reagimin humanitar.
Ai gjithashtu bëri thirrje për “rihapjen e kalimeve kufitare shtesë” dhe për një “rrjedhë të qëndrueshme dhe të parashikueshme të furnizimeve kritike të ndryshme” drejt Gazës.














