Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në fjalimin e tij para deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg tha se vendi i tij është gati të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian (BE) deri në vitin 2028, duke theksuar se do të bëjë gjithçka për ta arritur këtë qëllim.
Millatoviq iu drejtua eurodeputetëve me ftesë të presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e cila theksoi se zgjerimi i BE-së sot është prioritet dhe jo një premtim për të ardhmen.
Metsola e vlerësoi Malin e Zi për organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat, duke vlerësuar se ai takim i dha një shtysë të re politikës së zgjerimit, për të cilën Parlamenti Evropian ka qenë mbështetës i kahershëm.
"Mesazhi është i qartë, zgjerimi nuk është më një premtim për nesër. Ai është prioritet i ditëve të sotme. Dhe gjërat më në fund po ecin përpara. Mali i Zi po prin në këtë proces", tha Metsola, duke kujtuar se vendi ka mbyllur gjithsej 16 kapituj negociues, përfshirë dy të rinj të mbyllur një ditë më parë.
Ajo theksoi se ka filluar edhe puna për traktatin e anëtarësimit, gjë që sipas saj konfirmon se politika e zgjerimit mbetet e bazuar në meritë dhe në rezultatet e reformave.
"Zgjerimi nuk është akt mëshire. Është një zgjedhje strategjike. Është përfitim për të gjithë dhe një investim i fuqishëm gjeopolitik që e bën kontinentin tonë më të sigurt, më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të begatë", tha Metsola.
Duke folur për perspektivën evropiane të Malit të Zi, Millatoviq tha se optimizmi është ripërtërirë edhe gjatë samitit të fundit në Tivat.
"Dua të dërgoj një mesazh të qartë. Mali i Zi është gati të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028", tha presidenti malazez.
Duke iu përgjigjur pyetjes për realizmin e këtij qëllimi, Metsola theksoi se BE-ja do ta mbështesë fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi sapo të përmbushen të gjitha kushtet e parashikuara.
Millatoviq kujtoi se traktati i fundit i anëtarësimit është ratifikuar nga BE-ja pothuajse 15 vjet më parë, kur Kroacia u bë anëtare.
"Shpresoj sinqerisht që edhe ky mandat i Parlamentit Evropian të shkruajë një pjesë të historisë evropiane dhe ta ratifikojë traktatin e anëtarësimit të të paktën një vendi kandidat, dhe shpresoj që ai të jetë pikërisht Mali i Zi", tha ai.
Duke i komentuar dokumentet jozyrtare për zgjerimin që po qarkullojnë në qarqet diplomatike evropiane, Millatoviq theksoi se Mali i Zi ndodhet në një pozitë unike si i vetmi shtet kandidat me të cilin Këshilli Evropian tashmë ka formuar një grup pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit.
Sipas tij, dokumente të tilla përfaqësojnë përpjekje të liderëve evropianë për t'i dhënë procesit të zgjerimit një shtysë dhe energji shtesë politike.


















