| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Kryediplomati turk: Vizita e Erdoğan në Damask në agjendën e takimeve në Siri
Hakan Fidan tha se Ankaraja do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Sirisë ndërsa vendi punon drejt stabilitetit dhe prosperitetit.
Kryediplomati turk: Vizita e Erdoğan në Damask në agjendën e takimeve në Siri
Kryediplomati turk: Gjatë takimeve në Siri u diskutua vizita e planifikuar e Erdoğan në Damask / َAA

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha të hënën se gjatë vizitës së tij të fundit dyditore në Siri janë diskutuar përgatitjet për vizitën e planifikuar të presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Damask.

“Në një kohë kur rajoni ynë po kalon një periudhë kritike, zhvilluam një vizitë të rëndësishme në Siri”, tha Fidan në NSosyal.

Fidan tha se në ditën e parë të vizitës u prit nga presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, ndërsa zhvilloi takime edhe me ministrin e Jashtëm, Asaad al-Shaibani, dhe ministrin e Brendshëm, Anas Khattab.

“Gjatë takimeve tona, rikonfirmuam edhe një herë vullnetin tonë të përbashkët për të ruajtur unitetin dhe tërësinë territoriale të Sirisë dhe për të siguruar që populli sirian të arrijë paqen dhe mirëqenien që meriton”, tha ai.

“Diskutuam vizitën që presidenti ynë do ta zhvillojë në Damask”, shtoi Fidan.

Në ditën e dytë të vizitës, Fidan tha se u takua me përfaqësues të komunitetit turkmen të Sirisë, duke i cilësuar ata si pjesë përbërëse të vendit.

Ai tha se turkmenët e Sirisë kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftën e suksesshme kundër regjimit baathist dhe se vazhdojnë të japin kontribut të rëndësishëm në përpjekjet për shndërrimin e Sirisë në një vend të qëndrueshëm dhe të begatë.

Fidan vizitoi gjithashtu varret e figurave të njohura historike Ibn Arabi, Mevlana Halid el-Bagdadi dhe Salahudin Ejubit, si dhe Varrezat e Dëshmorëve Turq të Aviacionit dhe Kompleksin Sulejmanije në Damask.

“Gjatë vizitës sonë dyditore, pamë se rrugët e Damaskut po bëhen sërish të qeta dhe të gjalla”, tha ai.

Fidan tha se Türkiye mirëpret përpjekjet e popullit sirian për të ndërtuar, me vullnetin e tyre, “një vend të sigurt, të qëndrueshëm dhe të begatë, që përfshin të gjitha segmentet e shoqërisë”.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah Sirisë gjatë këtij procesi”, shtoi ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë