| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti dhe Maqedonci presin zyrtarin e NATO-s Hamilton, diskutohet formimi i Xhandarmërisë së Kosovë
Bëhet e ditur se palët përveç marrëdhënieve me NATO-n, sigurinë rajonale dhe zhvillimet politike aktuale, kanë pasur në fokus themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku Kurti ka shpjeguar konceptin dhe ka theksuar nevojën e kësaj strukture.
Kurti dhe Maqedonci presin zyrtarin e NATO-s Hamilton, diskutohet formimi i Xhandarmërisë së Kosovë
Kurti dhe Maqedonci presin zyrtarin e NATO-s Hamilton, diskutohet formimi i Xhandarmërisë së Kosovës / AA

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë pritur në takime të ndara Zëvendësndihmëssekretarin e Përgjithshëm për Partneritete në NATO, ambasadorin Kevin Hamilton, në vizitën e tij të parë në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit njofton se gjatë takimit të Kurtit me Hamilton u bisedua për thellimin e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n. Në këtë kontekst, Kurti foli për zhvillimet në vend, përfshirë ato në fushën e teknologjisë dhe të mbrojtjes, si dhe për prodhimin e municionit në Kosovë.

Bëhet e ditur se palët, përveç marrëdhënieve me NATO-n, sigurinë rajonale dhe zhvillimet politike aktuale, kanë diskutuar edhe për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e Hamiltonit, kryeministri në detyrë Kurti ka shpjeguar konceptin dhe ka theksuar nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim.

Institucionet kosovare kanë ndërmarrë këtë javë hapin e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë, ku është nënshkruar për themelimin e grupit punues i cili do të merret me analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e këtij institucioni të ri të sigurisë në vend.

Sa i përket takimit të ministrit në detyrë Maqedonci me Hamiltonin, u bë e ditur se në këtë takim ministri kosovar ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për integrimin euroatlantik dhe forcimin e partneritetit strategjik me NATO-n dhe shtetet aleate.

“Diskutuam mbi zhvillimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, modernizimin e kapaciteteve sipas standardeve të NATO-s, rritjen e investimeve në mbrojtje dhe rëndësinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s dhe KFOR-it për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Maqedonci pas takimit.

Më tej, Maqedonci ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar të kontribuojë gjithnjë e më shumë në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke avancuar nga një konsumuese e sigurisë në një kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë