Bashkimi Evropian (BE) e ka shprehur shqetësimin për miratimin e mbrëmshëm të Ligjit për ndryshime në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë e njohur si Gjykata Speciale.
Një zëdhënës i BE-së në një përgjigje për mediat kosovare ka thënë se ky veprim bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
“BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që vepron brenda sistemit juridik të Kosovës dhe që është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht. Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, thuhet në përgjigje.
BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve ndërkombëtare duke garantuar pavarësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës. “I bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës si dhe përkushtimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigje.
Deputetët e Legjislaturës së 11-të të martën pak minuta para se të përfundonte afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, miratuan me shumicë votash në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës arritën marrëveshje për votimin e këtij projektligji dhe zgjedhjen e kandidates Justina Shiroka-Pula si presidente të vendit menjëherë pas miratimit të ligjit në fjalë.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale. Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Për shkak të këtij vendimi, qytetarë të shumtë për 21 ditë kanë protestuar duke kundërshtuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.























