Ushtria izraelite arrestoi sot të paktën 14 palestinezë, përfshirë një grua, në bastisjet ushtarake në të gjithë Bregun Perëndimor dhe shkatërroi tre shtëpi në territorin e pushtuar.
Në Nablus, forcat izraelite bastisën lagjen Ras al-Ain, sulmuan tre ndërtesa dhe kontrolluan disa shtëpi përpara se të arrestonin tetë palestinezë, përfshirë një grua, thanë burimet. Në provincën Tubas, forcat e ushtrisë bastisën qytetin Tammun përpara se të tërhiqeshin disa orë më vonë, pa u raportuar për arrestime.
Në Jenin, forcat izraelite u zhvendosën në qytetin Al-Yamoun dhe arrestuan një ish të burgosur nga qyteti Jenin dhe një tjetër palestinez nga Deir Ghazaleh, në verilindje të provincës. Forcat izraelite arrestuan një oficer policie doganore palestineze dhe një të ri nga periferia Irtah, në jug të Tulkaremit dhe dy të tjerë nga fshati Faroun pasi bastisën dhe kontrolluan shtëpitë, thanë burimet.
Një forcë izraelite e mbështetur nga dy buldozerë bastisi fshatin Shuqba, në perëndim të Ramallahut dhe shkatërroi një shtëpi, thanë burimet lokale për Anadolu. Ushtria pretendon se shtëpia ishte ndërtuar pa leje në Zonën C, e cila bie nën kontrollin e plotë izraelit sipas Marrëveshjes së Oslos II të vitit 1995 dhe përbën rreth 60 për qind të Bregut Perëndimor.
Në jug të Bregut Perëndimor, buldozerët izraelitë shkatërruan dy shtëpi në fshatin Deir Razih, në lindje të Durës në provincën e Hebronit, thanë burimet.
Izraeli vazhdon të shkatërrojë shtëpitë dhe objektet e palestinezëve në Bregun Perëndimor nën pretekstin e ndërtimeve pa leje. Palestinezët thonë se autoritetet izraelite vendosin kufizime të rënda që i pengojnë ata të marrin leje ndërtimi ndërsa zgjerojnë vendbanimet ilegale në tokat e pushtuara.




















