| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
Erdoğan: Türkiye do të vijojë rrugën e zhvillimit pavarësisht konflikteve rajonale
Presidenti turk thotë se Ankaraja do t’i ruajë objektivat ekonomikë, do ta çojë përpara procesin “Türkiye pa terror” dhe do të punojë për paqen rajonale.
Erdoğan: Türkiye do të vijojë rrugën e zhvillimit pavarësisht konflikteve rajonale
Erdoğan: Türkiye do të vijojë rrugën e zhvillimit pavarësisht konflikteve rajonale / َAA

Türkiye do të vazhdojë rrugën e zhvillimit dhe mirëqenies pavarësisht konflikteve në rajon, deklaroi të martën presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.

“Türkiye është në rrugën e duhur, dashtë Zoti. Drejtimi i saj është i qartë dhe, herët a vonë, do të arrijë në destinacionin e saj”, tha Erdoğani në një fjalim pas mbledhjes së kabinetit në Ahlat të Bitlisit.

“Türkiye është e sigurt. Amaneti i 86 milionë njerëzve është në duar të sigurta. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që mbi këtë amanet të shenjtë të bjerë qoftë edhe një hije”, shtoi kreu i shtetit turk.

Kabineti u mblodh nën drejtimin e Erdoğanit në Kompleksin Presidencial të Ahlatit.

Erdoğani tha se në takim u trajtuan çështje që përfshinin politikën e jashtme, tregtinë, sigurinë dhe procesin e qeverisë “Türkiye pa terror”.

Ai tha se krizat ekonomike rajonale po ndikonin në Türkiye, por qeveria do të mbetej e përkushtuar ndaj objektivave të saj në punësim, eksporte, bujqësi dhe turizëm.

Lidhur me ndikimin ekonomik të tensioneve ndërmjet Iranit dhe ShBA-së, Erdoğani tha: “Ndërsa vala goditëse e shkaktuar nga tensionet Iran–Amerikë në ekonominë globale e humbet gradualisht ndikimin me kalimin e kohës, do të kemi mundësinë t’i shohim qartë pasojat e saj në jetën e përditshme”.

Procesi “Türkiye pa terror”

Duke iu kthyer procesit “Türkiye pa terror”, presidenti turk përmendi ligjin e miratuar së fundmi nga parlamenti me 467 vota, duke e cilësuar atë një konsensus historik dhe duke thënë se ai e kishte forcuar procesin.

“Demokracia turke ka pjekurinë për të zgjidhur çdo problem kur vepron me një qasje që vendos në qendër vendin dhe kombin, në vend të llogaritjeve të politikës së ditës”, tha ai.

Erdoğani u bëri thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve politike që të kontribuojnë në këtë proces, duke e përshkruar atë si një çështje që i përket të gjithë shtetit dhe 86 milionë qytetarëve të tij, dhe jo vetëm qeverisë dhe aleancës së saj.

“Ejani ta përmbushim siç duhet borxhin e mirënjohjes ndaj dëshmorëve dhe veteranëve tanë, duke e çliruar Türkiyen nga terrorizmi”, tha Erdoğani.

Ai paralajmëroi se çdo nismë që e ndërlikon, saboton ose provokon procesin, apo që pozicionohet kundër tij, do të mbajë përgjegjësi para historisë.

Erdoğani u bëri thirrje gjithashtu organizatave të shoqërisë civile dhe udhëheqësve të opinionit në rajon që të kontribuojnë më shumë në këtë proces.

Konfliktet rajonale dhe paqja

Duke folur për konfliktet rajonale, Erdoğani përsëriti përpjekjet e Türkiyes për nxitjen e paqes.

“Ndërsa Türkiye, së bashku me qytetarët e saj, kërkon paqe për të gjithë në rajon, planet e rrjeteve kriminale të ngritura mbi gjak dhe konflikt po prishen”, tha ai.

“Ne i shohim skenarët e përgjakshëm që po hartohen për rajonin tonë. Dashtë Zoti, nuk do të lejojmë që ata të realizohen”.

“Nuk do të heqim dorë nga përpjekjet për vendosjen e paqes në rajonin tonë vetëm sepse disa nuk e duan atë, shqetësohen prej saj apo shohin se planet e tyre po prishen”, shtoi Erdoğani.

Ai tha se Türkiye do të vazhdojë ta mbështesë rimëkëmbjen e vendeve fqinje, pavarësisht kundërshtimit nga ato që i përshkroi si “rrjete kriminale me gjakun e njerëzve të pafajshëm në duart e tyre”.

“Ne nuk kemi asnjë agjendë apo qëllim të fshehtë, ndryshe nga sa pretendojnë disa. Synimi ynë është që rreth nesh të mbizotërojë një atmosferë paqeje”, deklaroi Erdoğani.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë