Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, vendet e QUINT-it dhe EULEX-i i kanë dërguar një letër institucioneve të Kosovës, në të cilën kërkojnë miratimin e legjislacionit sekondar për të qartësuar zbatimin e kornizës ligjore lidhur me përdorimin e simboleve dhe flamujve të komuniteteve.
Siç ka mësuar agjencia kosovare e lajmeve KosovaPress, letra e datës 17 qershor 2026 i është adresuar ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa i është përcjellë edhe drejtorit të policisë së Kosovës dhe të gjithë kryetarëve të komunave.
Dokumenti është nënshkruar nga ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ambasadori i Francës Olivier Guerot, ambasadori i Gjermanisë Rainer Rudolph, ambasadori i Italisë Maurizio Antonini, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Jonathan Hargreaves, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së Anu Prattipati, si dhe shefi i EULEX-it Giovanni Pietro Barbano.
Në letër thuhet se Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës mbrojnë të drejtën e të gjitha komuniteteve për të ruajtur, shprehur dhe zhvilluar identitetin e tyre, përfshirë përmes përdorimit dhe shfaqjes së simboleve të komuniteteve.
Sipas nënshkruesve, përdorimi i simboleve, përfshirë flamujt kombëtarë ose të komuniteteve, është një e drejtë e mbrojtur me Kushtetutë dhe autoritetet e Kosovës kanë detyrimin jo vetëm të mos ndërhyjnë në ushtrimin e kësaj të drejte, por edhe të krijojnë kushtet për zbatimin e saj të barabartë.
Megjithatë, në letër vlerësohet se korniza aktuale ligjore mbetet e paplotë, pasi legjislacioni sekondar i paraparë me Ligjin për Përdorimin e Simboleve Shtetërore ende nuk është miratuar dhe mungesa e këtyre akteve nënligjore krijon paqartësi juridike dhe rrit rrezikun e zbatimit jo të njëtrajtshëm ose diskriminues në praktikë.
Për këtë arsye, BE-ja, QUINT-i dhe EULEX-i u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që, si çështje prioritare, të miratojnë legjislacionin e nevojshëm sekondar për të siguruar qartësi ligjore dhe zbatim të qëndrueshëm në të gjithë vendin.
Ata kërkojnë gjithashtu që ky proces të zhvillohet në konsultim të ngushtë me komunitetet joshumicë dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Në letër theksohet se, deri në miratimin e akteve të nevojshme, të gjitha çështjet që lidhen me përdorimin e flamujve dhe simboleve të komuniteteve, përfshirë gjatë festave dhe përvjetorëve, duhet të trajtohen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, në mënyrë konsistente, proporcionale dhe pa diskriminim.























