Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura dhe sipas protestuesve kundër qeverisjes në vend, duke hyrë në ditën e 17-të.
Mijëra protestues janë mbledhur sërish në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.
Në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar reagime dhe protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Protestuesit edhe sot janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë Rama. Pas qëndrimit disa orë në bulevard, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit.
Për Anadolu disa nga protestuesit janë shprehur se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Protestuesi: I bashkohem protestës për shumë arsye
Erlind Kuçi, 39-vjeç tregon se ka disa ditë që proteston dhe se iu është bashkuar protestës për disa arsye.
"I bashkohem protestës për shumë arsye që ky regjim dhe opozita bashkë me regjimin e kanë çuar në këtë fatkeqësi popullin shqiptar, qoftë nga ana e shëndetësisë, arsimit, sigurisë publike, papunësisë, shpopullimit dhe disa ligje që janë kundër familjes dhe tabanit tonë kombëtar. Ne kërkojmë dorëheqjen jo vetëm kryeministrit Rama, por komplet klasës së vjetër politike të cilët janë konsumuar tashmë dhe nuk kanë çfarë i japin më popullit shqiptar", tha Kuçi.
Kuçi thekson se shpresojnë që prej kësaj proteste dhe shoqërisë civile të dalë një opozitë e cila i jep një tjetër drejtim vendit, politikës dhe të ardhmes së vendit.
Do ta vazhdojmë protestën derisa të largohet kryeministri Rama
Naim Azizllari, 19-vjec shprehet se ka dalë në protestë për të ardhmen e tij. "Unë kam dalë të protestoj për veten time, për të ardhmen time. PS(Partia Socialiste) dhe PD(Partia Demokratike), këto 35 vjet këto kemi parë, këto parti, nuk po shohim dot një të hajrit, një të ri që të flasë në parlament. Unë jam 100 për qind dakord që duhet të largohet sa më parë(kryeministri Rama), sepse duhet t’u hapë rrugë të tjerëve. Do ta vazhdojmë derisa të largohet ky kryeministri ynë (Rama).
Arben Denizi, 63-vjeç thekson se kryeministri Rama duhet të largohet së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
"Ne dolëm, shyqyr që doli rinia, të gjejmë vetveten tonë. Me këtë popull të mrekullueshëm, me këtë vend të mrekullueshëm, Zvicra nuk ka asgjë sa kemi ne dhe ne jemi për copë të bukës. Inshalla po e ndryshojmë. Kryeministri Rama duhet të kishte ikur bashkë me Sali Berishën, duhet të vijë një frymë e re me ato që janë shkolluar jashtë vendit, jo këta që bëjnë vjedhje, të qeverisë Rama. Deri ditën që do ta fitojmë betejën me qeverinë Rama (do vazhdojnë protestën)", tha Denizi.
Të iniciuara nga aktivistë dhe të mbështetura nga qytetarët, protesta është zgjeruar në ditët e fundit edhe mbi çështje të tjera, si shfuqizimin kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin ligjit të njohur si "Paketa e Maleve" dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.
Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.
Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.
Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërsa prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.



















