| Albanian
KULTURË
2 minuta leximi
Türkiye hap aplikimet për konkursin e filmave të shkurtër të krijuar me inteligjencë artificiale
Konkursi synon ta zgjerojë përdorimin e inteligjencën artificiale gjeneruese në industritë krijuese, duke inkurajuar qasje inovative në realizimin e filmave.
Türkiye hap aplikimet për konkursin e filmave të shkurtër të krijuar me inteligjencë artificiale
Türkiye hap aplikimet për konkursin e filmave të shkurtër të krijuar me inteligjencë artificiale/ AA

Janë hapur aplikimet për një konkurs filmash të shkurtër, në të cilin pjesëmarrësit do të krijojnë filma duke përdorur inteligjencën artificiale gjeneruese, ndërsa edicioni i këtij viti do të fokusohet në temën “Faktori njerëzor në epokën e inteligjencës artificiale”.

Konkursi synon ta zgjerojë përdorimin e inteligjencën artificiale gjeneruese në industritë krijuese, duke inkurajuar qasje inovative në realizimin e filmave dhe duke i njohur krijuesit e rinj me prodhimin artistik të asistuar nga inteligjenca artificiale.

Organizatorët u kërkojnë pjesëmarrësve ta paraqesin inteligjencën artificiale si një teknologji që i shërben njerëzimit, thekson përgjegjësinë etike dhe përfshin elemente të kulturës lokale në tregimet e tyre.

Pjesëmarrësit gjithashtu pritet t'i eksplorojnë mënyrat se si inteligjenca artificiale mund ta përmirësojë, e jo ta zëvendësojë, krijimtarinë njerëzore dhe të tregojnë se si vlerat kulturore turke mund të përcillen përmes teknologjive të reja.

Konkursi do të zhvillohet në tri faza. Ekipet që kalojnë raundin paraprak do të marrin pjesë në trajnime online të organizuara në bashkëpunim me Google, përpara se t'i prodhojnë projektet e tyre përfundimtare.

Finalistët do të marrin kredi për të përdorur mjetet e inteligjencës artificiale gjeneruese të Google, Gemini dhe Veo 3, për të krijuar filma të shkurtër me gjatësi nga dy deri në pesë minuta.

Konkursi është i hapur për studentët dhe të diplomuarit turq në Türkiye ose jashtë vendit. Aplikantët mund të konkurrojnë individualisht ose në ekipe deri në katër anëtarë dhe gjithashtu mund të caktojnë një këshilltar.

Aplikimet, së bashku me përmbledhjen e projektit, duhet të dorëzohen online përmes www.t3kys.com deri më 25 korrik. Ekipet që kalojnë në fazën tjetër do të shpallen më 4 gusht, ndërsa afati për dorëzimin e filmave të përfunduar është 25 gushti.

Ekipi fitues do të marrë 180 mijë lira turke (rreth 4.500 dollarë), ndërsa ekipet e vendit të dytë dhe të tretë do të marrin përkatësisht 150 mijë lira turke (rreth 3.800 dollarë) dhe 120 mijë lira turke (rreth 3.000 dollarë), me një fond total çmimesh prej 450 mijë lirash turke (afër 11.300 dollarë).

Një çmim shtesë për Posterin më të mirë të filmit do t’i jepet ekipit, puna e të cilit pasqyron më së miri integritetin vizual dhe kreativitetin.

Sipas rregullave të konkursit, të gjitha elementet vizuale, audio dhe tekstuale të përdorura në filmat përfundimtarë duhet të jenë pa shkelje të të drejtave të autorit dhe të krijohen ekskluzivisht duke i përdorur teknologjitë gjeneruese të inteligjencës artificiale të Google.