Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Türkiye ka arritur një moment historik në tregtinë e jashtme, duke regjistruar gjithsej 395.9 miliardë dollarë eksporte të mallrave dhe shërbimeve gjatë vitit 2025.
Duke folur në Asamblenë e Eksportuesve Turk në Stamboll, Erdoğan përgëzoi kompanitë më të suksesshme eksportuese të vendit dhe theksoi punën e madhe që kërkohet për të arritur një sukses të tillë.
Erdoğan theksoi se vendi arriti një rritje ekonomike prej 3,6 për qind në vitin 2025, pavarësisht tensioneve globale, e ndjekur nga një zgjerim prej 2,5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026. Ai shtoi Türkiye e ka vazhduar performancën e saj të rritjes së pandërprerë për 23 tremujorë radhazi.
Presidenti turk theksoi se vëllimi i eksporteve të mallrave u rrit në 273,3 miliardë dollarë në vitin 2025, nga vetëm 36 miliardë dollarë në vitin 2002.
Eksportet e shërbimeve gjithashtu përjetuan një rritje të madhe gjatë së njëjtës periudhë, duke u rritur nga 14 miliardë dollarë në 122,6 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Turqia rriti pjesën e saj në eksportet globale të mallrave nga 0,55 për qind në 1,04 për qind, ndërsa pjesa e saj në eksportet globale të shërbimeve u rrit nga 0,89 për qind në 1,28 për qind.
Erdoğan gjithashtu theksoi përparimin e rëndësishëm në eksportet teknologjike, ku shitjet e produkteve të teknologjisë së mesme-të lartë dhe të lartë u rritën nga 10 miliardë dollarë në vitin 2002 në 112 miliardë dollarë në vitin 2025.
Presidenti turk tha se eksportet vjetore të sektorit prodhues të teknologjisë së mesme-të lartë dhe të lartë arritën në 114,4 miliardë dollarë.
Duke prekur sektorët e mbrojtjes dhe aviacionit, ai deklaroi se eksportet u rritën me 29,5 për qind gjatë pesë muajve të parë të vitit, duke arritur në 3.86 miliardë dollarë.
Erdoğan theksoi se Türkiye e ka ngritur industrinë e saj të mbrojtjes nga një nivel eksportesh vjetore prej 248 milionë dollarësh në eksporte mujore prej 992 milionë dollarësh.
“Ne tani realizojmë brenda një jave eksportet që dikur i realizonim brenda një viti”, tha ai.
Duke theksuar ndryshimin e pozitës së vendit në arenën globale, Erdoğan tha se Türkiye nuk është më një vend i mbyllur në vetvete, por një shtet i respektuar që është në gjendje të krijojë marrëdhënie mbi baza të barabarta.
Ai përfundoi duke theksuar se qeveria dhe sektori privat do të vazhdojnë të punojnë së bashku për t’i çuar objektivat eksportuese të vendit në nivele edhe më të larta në këtë epokë të re.





















