| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Vazhdojnë kërkimet për 84 të zhdukur pas zjarrit në tragetin në Filipine, pesë të vdekur
Trageti “MV June Aster” raportohet se transportonte 117 pasagjerë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit kur u nis nga Manila drejt Coronit në Palawan, përpara se të përfshihej nga zjarri.
Vazhdojnë kërkimet për 84 të zhdukur pas zjarrit në tragetin në Filipine, pesë të vdekur
Vazhdojnë kërkimet për 84 të zhdukur pas zjarrit në tragetin në Filipine, pesë të vdekur

Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhduan për 84 persona që ende rezultojnë të zhdukur pasi një traget pasagjerësh u përfshi nga zjarri pranë provincës perëndimore Palawan të Filipineve, duke lënë të paktën pesë të vdekur, ndërsa 43 persona deri më tani janë shpëtuar.

Shefi i Policisë Kombëtare të Filipineve, Jose Melencio Nartatez Jr., sipas Agjencisë shtetërore Filipinase të Lajmeve (PNA), urdhëroi Grupin Detar të policisë të intensifikojë operacionet e kërkim-shpëtimit për pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit që ende nuk janë gjetur.

Trageti “MV June Aster” raportohet se transportonte 117 pasagjerë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit kur u nis nga Manila drejt Coronit në Palawan, përpara se të përfshihej nga zjarri të mërkurën mbrëma.

Pesë persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 43 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar që nga incidenti.

Sot, Roja Bregdetare e Filipineve (PCG) rishikoi numrin e mundshëm të personave të zhdukur nga 86 në 84, pasi dy persona të përfshirë në listën e pasagjerëve konfirmuan se nuk kishin hipur në traget.

“Koha është vendimtare dhe thelbësore në një incident të tillë fatkeq”, tha Nartatez, duke shtuar se policia do të angazhojë personelin dhe burimet në dispozicion për të ndihmuar në kërkime.

Njësitë policore në zonat bregdetare pranë vendit të incidentit janë udhëzuar gjithashtu të koordinohen me zyrtarët lokal dhe të mobilizojnë ekipet mjekësore dhe ato të reagimit emergjent.

Nartatez urdhëroi policinë të ndihmojë në hetimin e shkakut të zjarrit dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme.

Autoritetet po punojnë gjithashtu për identifikimin e pesë trupave të gjetur, në mënyrë që t’u dorëzohen familjeve të tyre.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë