Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka emëruar gjyqtarin Kreshnik Kaçiu kryetar të Gjykatës Administrative të Kosovës.
KGjK-ja ka zgjedhur Kreshnik Kaçiun si kryetar me nëntë vota për dhe një kundër në votimin e zhvilluar sot. Mandanti i Kaçiut në këtë pozitë do të zgjasë 5 vjet.
Përzgjedhja e kryetarit të ri u zhvillua pas shqyrtimit të kandidaturave dhe rezultateve të procesit të vlerësimit ku në garë për këtë pozitë ishin Kreshnik Kaçiu dhe Liridona Ajeti-Kajtazi.
Sipas të dhënave të prezantuara në mbledhje, Kaçiu grumbulloi 74 pikë, duke kaluar pragun prej 70 pikësh të përcaktuar për kandidatët. Në anën tjetër, Ajeti-Kajtazi nuk arriti t'i sigurojë pikët e nevojshme dhe, për rrjedhojë, nuk u rekomandua për të vazhduar në fazën e votimit.
Kreshnik Kaçiu është gjyqtar në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ka diplomuar në Drejtësi dhe Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës ndërsa ka përfunduar masterin në Universitetin e Maastrichtit në Holandë. Provimin e Jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2016.
Para emërimit gjyqtar, Kaçiu ka punuar në disa pozita në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përfshirë në fushën e legjislacionit të Bashkimit Evropian, Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe integrimin evropian. Në vitin 2019 është emëruar gjyqtar nga Presidenti i Republikës së Kosovës ndërsa në vitin 2022 gjyqtar me mandat të përhershëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjykata Administrative e Kosovës vendos në shkallë të parë për konfliktet administrative dhe kontestet e punës në sektorin publik.




















