Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, deklaroi të hënën se vendosi të shtyjë rifillimin e sulmeve ndaj Iranit, pasi disa vende të rajonit e informuan se janë shumë pranë një marrëveshje për t’i dhënë fund plotësisht luftës.
Trumpi tha se udhëheqësit e Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe disa vendeve të tjera i kërkuan të shtyjë sulmet, “sepse mendojnë se janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje”.
“Dhe nëse mund ta bëjmë këtë, në mënyrë që Irani të mos ketë armë bërthamore, dhe nëse ata janë të kënaqur, atëherë me gjasë do të jemi të kënaqur edhe ne”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Duket se ka një shans shumë të mirë që ata të arrijnë një marrëveshje. Nëse mund ta bëjmë këtë pa i bombarduar deri në shkatërrim, do të isha shumë i lumtur”, shtoi Trump.
Trumpi tha se për vendimin e tij ka informuar edhe Izraelin, si dhe “persona të tjerë në Lindjen e Mesme”.
Të dielën, Trumpi paralajmëroi Iranin duke thënë se “ora po ecën” dhe se duhet “të veprojnë”, përndryshe “nuk do të mbetet asgjë prej tyre”.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet pasuese në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje afatgjatë. Trump më vonë e zgjati armëpushimin për një afat të pacaktuar.











