Qeveria spanjolle miratoi të martën një projektligj që zgjeron ndalimin e duhanit në më shumë hapësira publike, përfshirë tarracat e jashtme të bareve dhe restoranteve, plazhet, si dhe vendos cigaret elektronike dhe pajisjet për avullim (vape) nën të njëjtat rregulla si produktet tradicionale të duhanit. Projektligji parashikon gjithashtu ndalimin e konsumimit të duhanit dhe produkteve të ngjashme nga të miturit.
Ministrja e Shëndetësisë, Monica Garcia, e bëri të ditur këtë nismë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE.
Projektligji, i cili synon të reformojë ligjin kundër duhanit të vitit 2005 në Spanjë, parashikon ndalimin e pirjes së duhanit dhe përdorimit të cigareve elektronike në tarracat e bareve dhe restoranteve, në plazhe, pishina publike, objekte sportive, parqe kombëtare, automjete pune dhe në vendet ku zhvillohen aktivitete publike, si teatro, kinema dhe koncerte.
Pirja e duhanit do të ndalohet gjithashtu në kampuset universitare, në zonat e pritjes për transportin urban dhe brenda një distance prej 15 metrash nga hyrjet e ndërtesave publike, përfshirë institucionet shëndetësore, sociale, arsimore, kulturore dhe sportive, si edhe muzetë, bibliotekat dhe këndet e lojërave për fëmijë.
Projektligji synon gjithashtu të harmonizojë rregullat për produktet tradicionale të duhanit me ato që zbatohen për produktet më të reja, si cigaret elektronike, qeskat me nikotinë, produktet e duhanit të ngrohur dhe çdo pajisje që imiton ose lidhet me aktin e pirjes së duhanit.
Po ashtu, ai parashikon ndalimin e konsumimit të duhanit dhe produkteve të ngjashme nga të miturit, duke mos u kufizuar vetëm te ndalimi i shitjes ose furnizimit të tyre. Shkeljet mund të sjellin masa ndëshkuese për prindërit, përfshirë gjoba ose kryerjen e punës në dobi të komunitetit.
Projektligji do të forcojë gjithashtu kufizimet ndaj reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit të produkteve të duhanit dhe pajisjeve të lidhura me to, duke i shtrirë këto rregulla në të gjitha mediat dhe platformat digjitale.























