| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Mbi 1.300 familje pa energji elektrike mes zjarreve në Francë, ndërsa flakët u zbutën në Spanjë
Zjarri në Gironde të Francës mbetet i stabilizuar ndërsa në zjarrin në Madrid nuk u regjistruan riaktivizime gjatë natës.
Mbi 1.300 familje pa energji elektrike mes zjarreve në Francë, ndërsa flakët u zbutën në Spanjë
Mbi 1.300 familje pa energji elektrike mes zjarreve në Francë, ndërsa flakët u zbutën në Spanjë/ AA

Zjarret pyjore që prej disa ditësh kanë përfshirë Francën dhe Spanjën, duke djegur mijëra hektarë tokë dhe duke detyruar evakuime, nisën të zbuten sot, ndërsa mbi 1.300 familje mbetën pa energji elektrike në jugperëndim të Francës.

Operatori francez i rrjetit elektrik "Enedis" njoftoi se 1.370 familje mbetën pa energji elektrike në jugperëndim të Francës, kryesisht në departamentet Landes dhe Gironde, sipas transmetuesit BFMTV.

Në Gironde, prefektura njoftoi se zjarri mbeti i stabilizuar në orët e mëngjesit, megjithëse gjatë natës pati disa riaktivizime të flakëve, të cilat u vunë nën kontroll. Prefektura tha se nata kaloi e qetë ndërsa mbi 2.000 zjarrfikës vazhdojnë të jenë të angazhuar për të siguruar perimetrin ende aktiv të zjarrit dhe për t'i shuar vatrat e mbetura.

Sipas saj, që nga fillimi i zjarrit në Gironde janë lënduar 126 zjarrfikës. Ndërkohë, zjarri në departamentin juglindor Var u vu nën kontroll të martën, pasi dogji gati 4.800 hektarë. Në departamentin Landes në jugperëndim, rreth 350 zjarrfikës mbeten të dislokuar, megjithëse zjarri u vu nën kontroll të hënën pasi dogji 3.600 hektarë.

Gironde dhe Var janë ndër 65 departamentet për të cilat u shpall alarm portokalli të mërkurën për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret pyjore. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik "Meteo-France" shpalli alarm portokalli në 16 departamente për shkak të një vale të re të të nxehtit.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i operatorit hekurudhor SNCF, Laurent Trevisani, tha se kompanisë do t'i duhen disa ditë për ta rikthyer qarkullimin normal të trenave edhe pasi mori dritën jeshile nga prefektura. Për shkak të zjarreve në Landes dhe Gironde, shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë në jug të qytetit Bordeaux mbeten të pezulluara deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë, BFMTV-ja raportoi se 11 persona u paraqitën para një gjykatësi në Bordeaux nga e enjtja e kaluar deri të martën, në lidhje me zjarrin në Gironde.

Në Spanjë, sipas gazetës "El Pais", zjarri pyjor në rajonin Sierra Oeste të Madridit mbeti i qëndrueshëm gjatë natës pa riaktivizime të flakëve. Përpjekjet për shuarjen e zjarreve vazhdojnë në rajonin e Madridit si dhe në Avila, Toledo, Castellon dhe Almeria ndërsa Spanja po përgatitet për një valë të re të të nxehtit.

Banorët e 15 komunave në Madrid dhe Avila u kthyen në shtëpitë e tyre të martën në mbrëmje ndërsa autoritetet lejuan kthimin e 9.000 banorëve në Castellon dhe 6.000 banorëve nga 11 komuna në Toledo.

Duke folur në Madrid, kryeministri Pedro Sanchez ritheksoi se qeveria ka situatën nën kontroll në lidhje me zjarret në Madrid dhe Avila. Sanchez tha se zhvillimi i të dy zjarreve vazhdon të jetë pozitiv, por paralajmëroi se orët e ardhshme do të jenë vendimtare për konsolidimin e perimetrit të zjarreve dhe parandalimin e riaktivizimit të tyre përballë valës së re të të nxehtit.

Ndërkohë, zjarri pyjor në Vall d'Uixo të Castellonit vazhdon të jetë jashtë kontrollit ndërsa autoritetet ulën vlerësimin e sipërfaqes së djegur nga mbi 10 mijë hektarë në 9.300 hektarë.