| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Siljanovska-Davkova diskuton në Budapest për marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin evropian
Presidentja maqedonase mori pjesë në drekën zyrtare të shtruar nga presidenti hungarez, Andras Baka, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez.
Siljanovska-Davkova diskuton në Budapest për marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin evropian
Siljanovska-Davkova diskuton në Budapest për marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimin evropian / َAA

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë qëndrimit në Budapest, ka marrë pjesë në një drekë pune të organizuar nga presidenti i Hungarisë, Andras Baka, për krerët e delegacioneve me rastin e shënimit të 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez. 

Presidenca e Maqedonisë së Veriut njoftoi se Siljanovska-Davkova e përgëzoi presidentin hungarez për zgjedhjen e tij në postin e presidentit në gusht të këtij viti dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve përmes dialogut politik, shkëmbimit të vizitave dhe avancimit të bashkëpunimit ekonomik. 

Ajo gjithashtu e falënderoi Hungarinë për mbështetjen parimore dhe të fuqishme ndaj integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për angazhimin e saj aktiv në kuadër të Grupit të Vishegradit. 

Siljanovska-Davkova e theksoi rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), të bazuar në merita dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës. 

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për sfidat aktuale gjeopolitike dhe nevojën për forcimin e multilateralizmit si mekanizëm për ndërtimin e institucioneve të forta, të cilat do t’u mundësonin vendeve të vogla pjesëmarrje më të madhe në proceset vendimmarrëse për çështjet globale. 

Presidentja maqedonase shprehu qëndrimet e saj për nevojën e reformave të thella në organizatat ndërkombëtare dhe kalimin nga diplomacia reaktive në atë parandaluese, si parakusht për përballimin efektiv të krizave globale. 

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë