| Albanian
TÜRKİYE
4 minuta leximi
Erdoğan: Perspektiva e anëtarësimit të Türkiyes në SCO nuk nënkupton t'i kthejë shpinën Perëndimit
Erdoğan tha se Ankaraja synon të ndjekë një politikë të jashtme gjithëpërfshirëse, duke shtuar se, “Synimi ynë është të rrisim peshën tonë me një vizion 360-gradësh”.
Erdoğan: Perspektiva e anëtarësimit të Türkiyes në SCO nuk nënkupton t'i kthejë shpinën Perëndimit
Erdoğan: Perspektiva e anëtarësimit të Türkiyes në SCO nuk nënkupton t'i kthejë shpinën Perëndimit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se perspektiva e Türkiyes për t’u bërë anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) “nuk nënkupton kurrë t’i kthejë shpinën Perëndimit”.

Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial gjatë kthimit nga Samiti i Krerëve të Shteteve të SCO-së në Bishkek të Kirgistanit, ku mori pjesë me ftesë të presidentit të Kirgistanit, Sadyr Japarov, Erdogan tha se Ankaraja synon të ndjekë një politikë të jashtme gjithëpërfshirëse.

“Synimi ynë është të rrisim peshën tonë me një vizion 360-gradësh”, tha ai.

Lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, Erdogan tha se si ai, ashtu edhe presidenti rus, Vlladimir Putin, duan që konflikti të përfundojë me paqe sa më shpejt të jetë e mundur.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e sigurisë së transportit civil detar në Detin e Zi, duke shtuar se luftimet nuk duhet të arrijnë në një pikë që kërcënon sigurinë e civilëve dhe aktivitetin tregtar.

Erdogan paralajmëroi se kriza e drithërave po rishfaqet, veçanërisht në Afrikë dhe tha se do të ishte e dobishme të ndërmerrej një nismë përpara se problemi të përkeqësohej më tej.

Programi F-35, avioni luftarak vendas KAAN

Duke iu referuar çështjeve të mbrojtjes, Erdoğan tha se Türkiyes po vazhdon bisedimet për t’u rikthyer në programin e avionëve luftarakë F-35.

“Po vazhdojmë bisedimet tona për ripërfshirjen e Turqisë në program. Sapo të përfundojnë procedurat në ShBA, kjo çështje do të mbetet pas nesh”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Erdoğan theksoi se Türkiyes do të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e saj të mbrojtjes.

“Ne nuk heqim dorë nga KAAN-i apo nga zhvillimi i sistemeve tona të mbrojtjes ajrore. Po i shtojmë alternativat e Türkiyes. Kjo është udhërrëfyesi i një Turqie të fuqishme”, tha ai.

Lidhur me Aleancën e Mbrojtjes së Mekës, Erdogan tha se pakti u krijua për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

“Do të vazhdojmë rrugën tonë së bashku me vëllezërit tanë, duke u bërë më të fuqishëm”, shtoi ai.

Greqia të heqë dorë nga rruga e gabuar

Erdoğan i bëri gjithashtu thirrje Greqisë të heq dorë nga një “rrugë e gabuar” dhe të ndalojë armatosjen e ishujve me status të çmilitarizuar.

“Historia është një udhërrëfyes shumë i mirë për ata që nxjerrin mësime prej saj”, tha Erdogan.

“Greqia tani duhet ta kuptojë këtë, Turqia nuk ka pretendime mbi territorin e askujt, por nuk do të lejojë askënd të shkelë të drejtat e saj”, shtoi ai.

Procesi i “Türkiyes pa terrorizëm”

Lidhur me nismën “Türkiyes pa terrorizëm”, Erdoğan tha se Ankaraja e sheh procesin si çështje të arritjes së objektivave të saj dhe jo thjesht të respektimit të një afati kohor.

“Sigurisht, si shtet, ne kemi udhërrëfyesin, planin dhe kalendarin tonë”, tha ai.

Duke iu referuar legjislacionit kornizë të lidhur me procesin, Erdoğan tha se zbatimi i tij kërkon që PKK-ja të dorëzojë armët dhe të shpërbëhet.

“Se si do të bëhen konstatimet dhe verifikimet është e qartë. Procesi po ecën përpara hap pas hapi”, tha ai.

Erdoğan tha se Türkiye nuk do të tolerojë qasje që dëmtojnë ndjenjën e vëllazërisë së kombit apo që rrezikojnë të riaktivizojnë vijat e ndarjes të krijuara nga terrorizmi në të kaluarën.

“Ne do ta forcojmë frontin tonë të brendshëm. Pavarësisht dallimeve tona, do të bashkohemi rreth emëruesit të përbashkët, Türkiye. Këtë e quajmë Konsensusi i Türkiyes së Madhe. Po ecim përpara duke e ditur se çfarë po bëjmë”, shtoi ai.

Siria dhe shpërbërja e SDF-së

Duke folur mbi Sirinë, presidenti Erdogan tha se Tükiye dëshiron që vendi të jetë i bashkuar me të gjithë përbërësit e tij dhe theksoi se një unitet i tillë është i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe ngritjen e kapaciteteve.

Duke folur për shpërbërjen e SDF-së, Erdoğan tha se beson se një hap i tillë do “t’i hapte derën një epoke të re për të gjithë rajonin”.

“Kapitulli i terrorizmit tani duhet të mbyllet. Epoka e armëve dhe dhunës tani duhet të marrë fund”, tha ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë