| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mbyllet një nga pikat kufitare mes Bosnjës dhe Kroacisë, shkak shembja e një pjese të urës
Trafiku u ndërpre në urën mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë ndërsa ekipet profesionale po kontrollojnë sigurinë e konstruksionit.
Mbyllet një nga pikat kufitare mes Bosnjës dhe Kroacisë, shkak shembja e një pjese të urës
Mbyllet një nga pikat kufitare mes Bosnjës dhe Kroacisë, shkak shembja e një pjese të urës / AA

Pasi pas mesnate u shemb një pjesë e shtegut për këmbësorë në urën mbi lumin Sava mes Gradishkës dhe Stara Gradishkës, shërbimet kompetente e mbyllën urën dhe ndërprenë trafikun, për shkak të së cilës u mbyll përkohësisht edhe pika kufitare Gradishka, një nga pikat më të frekuentuara kufitare mes Bosnjës e Hercegovinës dhe Kroacisë.

Ministria e Komunikacionit dhe e Transportit e Bosnjë e Hercegovinës është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente në vend si dhe në Republikën e Kroacisë me qëllim të përcaktimit të gjendjes së urës dhe ndërmarrjes së masave të nevojshme.

"Sipas informacioneve aktualisht të disponueshme, shembja ndodhi sot herët në mëngjes pas mesnate, pas së cilës shërbimet kompetente policore ndërprenë trafikun mbi urë, si dhe në rrugët hyrëse në Gradishkë, me çka u ndërpre përkohësisht puna e pikës kufitare Gradishka", tha Ministria e Komunikacionit dhe e Transportit e BeH-së.

Në vendngjarje janë dërguar ekipe profesionale të Rrugëve të Republikës Sërpska dhe Rrugëve Kroate për të kryer kontroll të detajuar të gjendjes së urës dhe vlerësim të sigurisë së përdorimit të saj të mëtejshëm. Më shumë informacione për shkallën e dëmtimit dhe masat eventuale të sanimit do të dihen pas përfundimit të kontrollit profesional.

Ministria e Komunikacionit dhe e Transportit e BeH-së, së bashku me Ministrinë e Detit, të Transportit dhe të Infrastrukturës të Republikës së Kroacisë, është kompetente për zbatimin e Marrëveshjes për mirëmbajtjen e urave ndërshtetërore në kufirin mes BeH-së dhe Kroacisë, ku financimi i mirëmbajtjes dhe rindërtimit bëhet sipas parimit 50:50, ndërsa punët lidhur me mirëmbajtjen e urave kryhen përmes menaxherëve/organeve kompetente të infrastrukturës rrugore.

Ura është ndërtuar në vitin 1956, ndërsa gjatësia totale e urës është 240 metra.

Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj pike kufitare për trafikun ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave të BeH-së në të cilën do të shqyrtohen informacionet e institucioneve kompetente, gjendja e urës, si dhe aktivitetet urgjente me qëllim të rivendosjes sa më të shpejtë të zhvillimit të sigurt të trafikut.