Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të Shqipërisë, Klodjan Braho, prezantoi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë raportin vjetor për vitin 2025, ku vuri në dukje rritjen e ndjeshme të aktivitetit hetimor dhe përmirësimin e efikasitetit të institucionit. Sipas tij, SPAK-u ka konsoliduar funksionimin, duke zgjeruar hetimet proaktive dhe duke përdorur më gjerësisht teknikat speciale në procesin hetimor.
Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 janë trajtuar 870 procedime penale, ndërsa pesha e hetimeve të nisura me iniciativë të vetë prokurorëve është dyfishuar, duke arritur në 37 për qind nga 19,8 për qind një vit më parë. Në të njëjtën kohë, raporti mes çështjeve të reja dhe atyre të përfunduara është përmirësuar me 7 për qind, duke treguar rritje të produktivitetit.
Shefi i SPAK-ut Klodjan Braho, shpjegoi më tej se shkalla e dënimeve mbetet e lartë, me 87 për qind vendime fajësie, ndërsa vetëm 13 për qind janë shpallur të pafajshëm. Ndërkohë, rekurset në Gjykatën e Lartë kanë pësuar një rënie të ndjeshme, me rreth 68 për qind.
“Sa i përket efektivitetit në gjykim ka mbetur në nivele të qëndrueshëm gjatë periudhës 2021- 2025. Krahasuar me vitin 2024 totali I vendimeve të Gjykatës së Posaçme është rritur lehtë me 5,5 për qind, duke reflektuar stabilizim të volumit të çështjeve të përfunduara”, tha Braho.
Një ndryshim i dukshëm është reflektuar edhe në politikat e masave të sigurimit, ku “arresti me burg” është përdorur më rrallë, duke u ulur me 53,4 për qind krahasuar me vitin 2024. Kjo masë përbën një përqindje të vogël në rastet e korrupsionit dhe një peshë më të madhe në ato të krimit të organizuar.
Megjithatë, sipas tij, korrupsioni vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore, duke përfshirë nivele të ndryshme të administratës dhe sistemit të drejtësisë. Gjatë vitit 2025 është regjistruar rritje e çështjeve të reja dhe atyre të përfunduara për këtë kategori veprash penale.
Paralelisht, SPAK-u ka intensifikuar goditjen ndaj pasurive me origjinë të paligjshme, duke sekuestruar dhe konfiskuar rreth 45,4 milionë euro, përfshirë edhe asete në kriptovaluta. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu skema të ndërlikuara të pastrimit të parave, duke zgjeruar fokusin përtej ndjekjes penale drejt goditjes së burimeve financiare të krimit.





















