| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Zëvendëspresidenti turk dhe presidenti i RTQV-së diskutojnë projektet ekonomike
Türkiye dhe Republika Turke e Qipros Veriore nënshkruan marrëveshje për zhvillimin e një tubacioni nënujor të gazit natyror prej 101 kilometrash.
Zëvendëspresidenti turk dhe presidenti i RTQV-së diskutojnë projektet ekonomike
Zëvendëspresidenti turk dhe presidenti i RTQV-së diskutojnë projektet ekonomike

Zëvendëspresidenti turk Cevdet Yilmaz dhe presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore, Tufan Erhurman, diskutuan të premten projekte ekonomike.

Gjatë vizitës në kryeqytetin e RTQV-së, Lefkoşa, Yilmaz u shoqërua në bisedime nga ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, dhe ambasadori i Türkiyes në RTQV, Ali Murat Başçeri.

Zëvendëspresidenti turk tha se vizitat reciproke janë një nga treguesit më konkretë të historisë së përbashkët dhe të ardhmes së përbashkët mes Türkiyes dhe RTQV-së. Ai shtoi se të dyja palët ruajnë konsultime dhe koordinim të ngushtë për çështje strategjike, platforma ndërkombëtare, kauza të përbashkëta dhe çështje kombëtare, dhe do të vazhdojnë të punojnë në të njëjtin drejtim.

Ai tha se Türkiye do të vazhdojë t’i mbështesë projektet që synojnë përmirësimin e mirëqenies së turqve qipriotë, forcimin e kapaciteteve prodhuese dhe krijimin e një të ardhmeje më të begatë për të rinjtë.

Yilmaz tha se të drejtat, liria dhe siguria e turqve qipriotë nuk janë thjesht një çështje e politikës së jashtme për Türkiyen, por pjesë përbërëse e kauzës së saj kombëtare.

Ai shtoi se Türkiye, si shtet garantues, do të vazhdojë të qëndrojë pranë turqve qipriotë, ta mbrojë kauzën e tyre në të gjitha platformat dhe të punojë për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë, të bazuar në barazinë sovrane.

Yilmaz foli gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Türkiyes dhe RTQV-së për zhvillimin e një tubacioni nënujor të gazit natyror prej 101 kilometrash.

Futja e gazit natyror do të forcojë sigurinë energjetike, do të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe do të rrisë konkurrueshmërinë, veçanërisht në prodhimin e energjisë elektrike, tha Yilmaz.

Yilmaz tha se siguria energjetike është një faktor kyç që ndikon në stabilitetin ekonomik, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin, duke shtuar se përmbushja e nevojave energjetike të RTQV-së është prioritet për Türkiyen. Ai tha se Ankaraja do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet për ndërtimin e një infrastrukture të fuqishme dhe të një ekonomie konkurruese e të qëndrueshme në RTQV.

“Besoj fuqishëm se ky hap në sektorin e energjisë do të jetë një moment historik që do ta forcojë edhe më tej bashkëpunimin e fuqishëm mes vendeve tona”, tha ai.

Mosmarrëveshje prej dekadash

Qiproja është përfshirë prej dekadash në një mosmarrëveshje mes qipriotëve grekë dhe turqve qipriotë, pavarësisht një sërë përpjekjesh diplomatike të OKB-së për arritjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Sulmet etnike që nisën në fillim të viteve 1960 i detyruan turqit qipriotë të tërhiqeshin në enklava për sigurinë e tyre.

Në vitin 1974, një grusht shteti i qipriotëve grekë, që synonte aneksimin e ishullit nga Greqia, çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiye-s si fuqi garantuese, për të mbrojtur turqit qipriotë nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, Republika Turke e Qipros Veriore u themelua në vitin 1983.

Në vitet e fundit ka pasur një proces paqeje me ndërprerje, përfshirë një nismë të dështuar në vitin 2017 në Zvicër, nën kujdesin e vendeve garantuese Türkiye, Greqi dhe Britani e Madhe.

Administrata Qipriote Greke hyri në Bashkimin Evropian në vitin 2004, në të njëjtin vit kur qipriotët grekë bllokuan në mënyrë të njëanshme një plan të OKB-së për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë