Në Kosovë janë betuar 515 ushtarë të rinj si pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), apo gjenerata më e madhe ndonjëherë që prej formimit të ushtrisë në vend.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve të rinj të FSK-së krah udhëheqësve të tjerë të institucioneve, tha se Qeveria e Kosovës synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati, duke vënë në pah se zhvillimi i FSK-së mbetet prioritet.
Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit për të mos u nënshtruar dhe për të mos u pajtuar me robërinë, derisa u tha ushtarëve të rinj ta nisin rrugën duke e ditur se liria e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave.
“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit. 515 garantues të lirisë dhe të paqes”, theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti tha se synimi i Kosovës në aspektin e mbrojtjes mbetet i qartë, siç theksoi ai, “t’i dalim zot atdheut dhe të bëhemi pjesë e NATO-s”.
“Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë. E për këtë, ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë pjesë e NATO-s”, theksoi Kurti.
Kryeministri kosovar tha se Qeveria ka realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro, ku mbështetjen ajrore e ka forcuar me dronët “Bayraktar” dhe “Skyguard”, ndërsa nga toka ka siguruar mbi 40 lloje të armatimit të rëndë dhe të lehtë, modern dhe sipas standardeve të NATO-s.
Kurti gjithashtu tha se Kosova në fund të vitit do të fillojë edhe me prodhimin e municionit në fabrikën që po ndërtohet në Gjakovë si fabrikë 100 për qind vendore, derisa theksoi se po ashtu Qeveria po e përkrah sektorin privat që duan të prodhojnë produkte ushtarake.





















