Në Fakultetin Ekonomik në Shkup u përurua sot salla e rinovuar dhe modernizuar e leximit “Halk”, falë një donacioni prej rreth 30 mijë eurosh nga Halkbank-Shkup, me synim krijimin e kushteve më të mira për mësim, hulumtim dhe përvetësim të njohurive për studentët.
Siç njofton Halkbank-Shkup, në ceremoninë e hapjes morën pjesë rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, prof. dr. Biljana Angellova, dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. dr. Mijallçe Santa, profesorë të fakultetit, përfaqësues të Halkbank dhe studentë.
Me donacionin janë realizuar përmirësime të rëndësishme në infrastrukturën e sallës së leximit, përfshirë zëvendësimin e plotë dhe vendosjen e dritareve të reja me efikasitet energjetik si dhe vendosjen e qilimave të rinj.
Dekani Santa tha se salla e leximit është një nga hapësirat më të rëndësishme të fakultetit, për shkak të kohës që studentët kalojnë aty dhe njohurive që përvetësojnë.
“Një sallë leximi matet sipas numrit të orëve që studentët kalojnë në të, numrit të provimeve për të cilat përgatiten dhe numrit të punimeve seminarike dhe të diplomës që shkruajnë.
Pikërisht për këtë arsye ishte e rëndësishme që kjo hapësirë të rinovohej, sepse kushtet në të cilat studiojnë studentët tregojnë se sa ne, si institucion, i vlerësojmë ata”, tha Santa.
Rektorja Angellova theksoi se salla e rinovuar përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në studentët dhe në mjedisin akademik.
“Kjo hapësirë është shumë më tepër se një sallë leximi e rinovuar. Është investim në dije, në mjedisin akademik dhe, mbi të gjitha, investim në studentët tanë”, tha Angellova, duke falënderuar Halkbank për mbështetjen dhe për identifikimin e nevojave të komunitetit akademik.
Drejtori ekzekutiv i përgjithshëm i Halkbank AD Shkup, dr. Fatih Sahbaz tha se mbështetja për Fakultetin Ekonomik është pjesë e angazhimit më të gjerë të bankës për investime te të rinjtë dhe zhvillimin e tyre profesional.
“Për Halkbank, ky donacion është shumë më tepër se një investim për përmirësimin e një hapësire. Është investim në studentët që do ta përdorin atë, në dijen, zhvillimin dhe të ardhmen e tyre”, tha Shahbaz. Ai theksoi se bashkëpunimi shumëvjeçar me Fakultetin Ekonomik synon lidhjen e njohurive akademike me botën reale të biznesit, përmes praktikave studentore, zhvillimit profesional dhe mundësive për karrierë.
Rinovimi i sallës së leximit është një tjetër hap në këtë partneritet, me synim krijimin e kushteve ku dija, përvoja praktike dhe idetë e reja mund të zhvillohen. Për Halkbank, theksohet në njoftim, mbështetja e arsimit është pjesë e përgjegjësisë më të gjerë shoqërore të bankës dhe angazhimit për të qenë partner i të rinjve, institucioneve arsimore dhe komunitetit.
Salla e leximit “Halk” do të vazhdojë të shërbejë si hapësirë për mësim dhe hulumtim si dhe si një vend ku mund të lindin ide të reja, kontakte profesionale dhe mundësi për karrierë.























