| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kryeministri Kurti u prit në takim nga presidenti Macron
Në takim u theksua roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti u prit në takim nga presidenti Macron
Kryeministri Kurti u prit në takim nga presidenti Macron / AA
3 orë më parë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi vizitë dhe takim me drekë pune me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, i cili e mirëpriti në Pallatin Elize në Paris.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim morën pjesë edhe ministri francez i deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.

Në takim u theksua roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.

Zyra e Kryeministrit njofton se po ashtu palët diskutuan për integrimet dhe sigurinë në Evropë.

Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke nënvizuar progresin në reformat e gjithanshme, gjë të cilën Kurti ka thënë se e ka konstatuar edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për Kosovën. Këtu, Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Tutje, Kurti foli për sigurinë e Kosovës, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan.

Gjithashtu, u bisedua për planet dhe investimet në edukim, si dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë, pas atij të suksesshëm të mbajtur në muajin shkurt sivjet në Prishtinë. Në këtë kontekst, Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë janë thirrje për mbështetjen dhe angazhimin e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre.