Lojtari dhe sulmuesi i ekipit kombëtar të futbollit të Kosovës, respektivisht transferimi i ri i Fenerbahçes, Vedat Muriqi, ka shprehur lumturinë e tij që do të veshë sërish fanellën verdhë e kaltër të klubit.
Duke folur për FB TV, futbollisti kosovar tha se është i lumtur që është rikthyer te ngjyrat verdhe e kaltër.
Duke falënderuar të gjithë ata që punuan për realizimin e transferimit të tij, futbollisti me përvojë deklaroi:
“Jam shumë i lumtur. Është një krenari të jem këtu. E dija se më kishte marrë malli për këtë vend, por tani e kuptoj sa shumë më kishte munguar. Edhe një herë më dhanë mundësinë të jem pjesë e këtij klubi të madh. Që nga largimi im, e kam ndjekur vazhdimisht klubin, edhe kur kam qenë larg, kam qenë i përfshirë në gjithçka. Ndihem sikur nuk jam larguar kurrë. Nuk ka klub tjetër si ky. Kam pasur mundësi në Evropë dhe kam fituar përvojë, por madhështia e Fenerbahçes sonë është diçka krejt tjetër”.
Lidhur me procesin e transferimit, Muriqi u shpreh:
“Nuk është më Vedati 25-vjeçar. Tani ka një Vedat më me përvojë. Por ekziston një Vedat që është shumë më i etur dhe më i motivuar sesa ishte në moshën 25-vjeçare”.
Muriqi tha se ndihet sikur nuk është larguar kurrë nga Fenerbahçe dhe premtoi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta ndihmuar ekipin të arrijë titullin kampion.
Sulmuesi kosovar theksoi gjithashtu se tifozët e kanë mbështetur gjithmonë ekipin, duke shtuar se është i emocionuar dhe se i ka munguar atmosfera e Kadikoy-t.



















