| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
“Ora e Pritjes” në Prishtinë, nis numërimi mbrapsht deri në aktgjykimin për ish-krerët e UÇK-së
Një ekran i madh me numërim mbrapsht deri më 16 shtator, kur pritet të merret vendimi për çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, është vendosur të premten në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
“Ora e Pritjes” në Prishtinë, nis numërimi mbrapsht deri në aktgjykimin për ish-krerët e UÇK-së
“Ora e Pritjes” në Prishtinë, nis numërimi mbrapsht deri në aktgjykimin për ish-krerët e UÇK-së / Kosova Press

Një ekran i madh me numërim mbrapsht deri më 16 shtator, kur pritet të merret vendimi për çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, është vendosur të premten në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ekrani i vendosur në kuadër të aktivitetit “Ora e Pritjes”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, tregon në mënyrë simbolike kohën e mbetur deri në ditën e vendimit për ish-krerët e UÇK-së, me synimin që të shërbejë si simbol i pritjes dhe kujtesës.

Një ekran i tillë është paralajmëruar se do të vendoset edhe në qytete të tjera të Kosovës.

Ndërkohë, në sheshet e Prishtinës po ashtu janë vendosur flamujt e UÇK-së.

Aktiviteti në Prishtinë zhvillohet në prag të përfundimit të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ndërsa data 16 shtator shënon afatin e përcaktuar për shpalljen e vendimit.

Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, akuzohen nga Prokuroria Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për veprat penale: vrasje, torturim dhe përndjekje të kryera gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998-99.

Trupi Gjykues "shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor", duke shtuar se "kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, të tërësishëm dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes".

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara kishte afat deri më 19 maj të këtij viti për të shpallur vendimin, por duke arsyetuar, siç thuhet, në kompleksitetin e rastit, vendosi ta shtynte këtë afat deri më 20 korrik 2026. 

Por më pas bëri edhe një shtyrje, duke vendosur përfundimisht që aktgjykimi për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin të shpallet më 16 shtator, ndërkaq Prokuroria Speciale ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë