Të paktën 306 persona në Belgjikë janë sëmurë pasi kanë konsumuar vezë të kontaminuara me salmonelë, njoftoi të martën Agjencia Federale për Sigurinë e Zinxhirit Ushqimor (FASFC), sipas gazetës “The Brussels Times”.
Shpërthimi i rasteve u gjurmua te prodhuesi i vezëve Laerco në Geel, ndërsa autoritetet kanë bllokuar gjithë fermën e shpendëve.
Si masë parandaluese, vezët e këtij prodhuesi po tërhiqen nga tregu edhe në tetë vende të tjera evropiane, përfshirë Holandën, Francën, Italinë dhe Portugalinë, deklaroi zëdhënësja e FASFC-së, Helene Bonte.
Salmonela u zbulua për herë të parë në këtë fermë në fund të prillit, duke nxitur në maj tërheqjen në shkallë të gjerë të të gjitha vezëve nga objekti i kompanisë në Geel.
Fillimisht, autoritetet besonin se kontaminimi kufizohej vetëm në njërin prej katër kapanoneve të fermës.
Megjithatë, testimet e mëtejshme zbuluan kontaminim edhe në një kapanon të dytë, pasi numri i rasteve të reja të raportuara nuk u ul siç pritej.
Vezët ishin shpërndarë përmes disa rrjeteve supermarketesh, përfshirë Aldin dhe Carrefourin.
Konsumatorëve u është bërë thirrje të mos i konsumojnë vezët e tërhequra dhe t’i kthejnë në dyqanet ku i kanë blerë për të marrë rimbursim.





















